Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kryeprokurori i Shtetit tregon për kërcënimet ndaj prokurorit të dorëhequr, Elez Blakaj

Kryeprokurori i Shtetit ka sqaruar rastin e dorëheqjes së Prokurorit Special, Elez Blakaj, për të cilin raportoi sot “Koha Ditore”.

Në një komunikatë dërguar mediave, thuhet se zyrtarisht Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit asnjëherë nuk është informuar me shkrim nga prokurori Blakaj se ka pasur ndonjë kërcënim në lidhje me punën e tij.

“Zyrtarisht, deri më sot ne kemi pranuar vetëm dorëheqjen e tij, të cilën e ka drejtuar te Kryeprokurori i PSRK-së, z. Reshat Millaku”, thotë komunikata e Kryeprokurorit të Shtetit.

Sidoqoftë, komunikata e Kryeprokurorit të Shtetit thotë se prokurori Blakaj, përderisa ishte duke hetuar rastin e njohur në opinion si “Lista e veteranëve të UÇK-së”, kishte marrë informacione se Komisioni i Mjekëve në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ishte duke u marrë me përcaktimin e statusit të invalidëve të luftës dhe se gjatë punës së këtij komisioni ka pasur kanosje, për të cilën edhe është hapur rasti si i tillë në Policinë e Kosovës.

“Kërkesa e prokurorit Blakaj është shqyrtuar dhe Policia e Kosovës ka vendosur të shtojë patrullimet në vendin ku komisioni po punonte si dhe në vendosjen e kontakteve të kohëpaskohshme në mënyrë që procesi të vazhdojë sipas planifikimit. Megjithatë, prokurori Blakaj nuk ka raportuar për këtë rast se ka ndonjë kërcënim ndaj tij”, theksohet në komunikatë.

“Po ashtu, Kryeprokurori i Shtetit ka informacione se prokurori Blakaj në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook ka pranuar një mesazh kërcënues me fjalët: “Dënoi kriminelët, e jo hoxhallarët”, kurse më pas prokurori Blakaj e ka raportuar në polici, ku ka deklaruar se veten nuk e ndien të kërcënuar, por është i brengosur rreth familjes së tij, sidomos për fëmijët dhe ka kërkuar përcjelljen nga njësitet policore të fëmijëve të tij gjatë vajtje-ardhjes në shtëpi – shkollë”, shton më tej Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

Tutje, thotë se Policia e Kosovës ka shqyrtuar kërkesën e prokurorit Blakaj dhe të nesërmen ka filluar me ofrimin e përcjelljes së fëmijëve të prokurorit Blakaj.

Edhe Emaili që demanton kryeprokurorin Millaku rreth aktakuzës së veteranëve të rremë Video Emaili që demanton kryeprokurorin Millaku rreth aktakuzës së veteranëve të rremë

“Edhe në këtë rast, policia ka hapur rast hetimi ndaj kërcënuesit të prokurorit Blakaj”, bën me dije Kryeprokuroria.

Po ashtu, Kryeprokurori i Shtetit sqaron se sipas Ligjit nr. 03/L- 225, nenin 22, parashihet se “Prokurorët kanë të drejtë që nga Këshilli Prokurorial i Kosovës të kërkojnë masa të veçanta mbrojtëse për veten dhe për familjet e tyre atëherë kur kërcënimi për jetën e tij\saj apo të një anëtari\je të familjes vjen si rezultat i ushtrimit të funksionit të tyre prokurorial apo buron nga ai”.

“Këto janë të gjitha informacionet zyrtare që ka Kryeprokurori i Shtetit lidhur me rastin në fjalë dhe sapo të kemi ndonjë informatë tjetër nga prokurori Blakaj, Kryeprokurori i Shtetit do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore konform mandatit dhe obligimeve ligjore. Ndërsa, për rastet – lëndët që ka pasur në punë prokurori Blakaj është kërkuar që të ndahen te prokurorët e tjerë në kuadër të PSRK-së dhe asnjë zbrazësi nuk do të lejohet në hetimin e plotë dhe të pavarur të secilit rast, pra edhe të rasteve në fjalë”, përfundon njoftimi i Kryeprokurorit të Shtetit.