Fiks 32 mijë euro kanë kushtuar shërbimet për varret e dy heronjve të Kosovës, Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj, por që Kryeministria nuk i ka paguar.
Në nëntor të 2018-s u bë rivarrimi i tyre, në Varrezat e Dëshmorëve në kryeqytet, eshtrat e të cilëve preheshin në varrezat e Tiranës. Por në mars të 2019-s, Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, u dërgua tek një përmbarues privat në Pejë, për shkak se nuk pagoi vlerën e këtyre dy varreve, nga 16 mijë euro për secilin.
Kompania N.P.T “ArtCom” e ka dërguar Zyrën e Kryeministrit tek përmbaruesi Zija Bala, i emëruar për territorin e Gjykatës Themelore në Pejë, për përmbarimin e borxhit në shumë prej 32.000 eurosh.
Koha.net ka siguruar dokumentet ku vërtetohet se Zyra e Kryeministrit nuk i ka paguar këto shërbime dhe më 22 mars të këtij viti u dërgua tek përmbaruesi, shkruan sot Koha Ditore.
“Kreditori ‘ArtCom’ me seli në fshatin Treboviq, Pejë, i ka shitur mall me përshkrim të mallit në faturë ‘Varrezë për heroin Ilir Konushevci’ debitorit Zyra e Kryeministrit në bazë të faturës tatimore nr. 5745 e datës 30.11.2018 me shumën 16.000 euro, dhe ‘Varrezë për dr. Hazir Mala’ me numër të faturës 5 746 me datë 30.11.2018 me shumën 16.000 euro. Kreditori ’ArtCom’ i ka kërkuar debitorit (Zyrës së Kryeministrit) përmbushjen e pagesës sipas faturës, por debitori edhe me gjithë kërkesën e kreditorit, nuk e ka përmbushur obligimin e tij”, thuhet në dokumentin e përmbaruesit Zija Bala.
Në dokument theksohet se meqenëse Zyra e Kryeministrit nuk e ka përmbushur obligimin e tij, kreditori ka kërkuar nga organi përmbarues që në bazë të dokumentit të besueshëm, në mbështetje të nenit 3, nenit 4, paragrafit 1, nenit 5, paragrafit 3, nenit 10, paragrafëve 1,2,3, nenit 21, nenit 29, paragrafëve 1,3 dhe neni 38, paragrafi 1, të Ligjit nr 04/L-139, për procedurën përmbarimore të nxjerrë urdhrin mbi lejen e përmbarimit.
Me këtë rast është kërkuar të caktohet përmbarimi për realizimin e kërkesës së kreditorit në afat prej 7 ditësh, nga dita e pranimit të këtij urdhri, nën kërcënimin e përmbarimit të dhunshëm me “Bllokimin e të gjitha llogarive bankare në emër të debitorit dhe kompensimin e shpenzimeve të procedurës përmbarimore”.
Koha.net ka kontaktuar me Zyrën e kryeministrit Haradinaj për të kuptuar nëse i është bllokuar xhirollogaria apo deri ku ka shkuar çështja, por zyrtarisht nuk ka marrë përgjigje, ndonëse ka pritur Zyrën për Media për përgjigje më tepër se një javë.
Një burim brenda Kryeministrisë, në kushte anonimiteti, i ka thënë portalit Koha.net se faji është tek një keqkuptim mes Zyrës së Financave dhe asaj të Prokurimit.
“Në rastin konkret kryeministri Haradinaj ka kërkuar që të kryhen shërbimet e rivarrimit të dy heronjve në fjalë dhe nuk ka mundur të pritej edhe për shkak të datës. Kur ka ardhur fatura në Kryeministri njëra zyrë ka thënë se nuk mund të paguhet, sepse për këso shërbimesh Kryeministria ka marrëveshje me një tjetër operator. Për shkak të procedurave të brendshme pagesa edhe është vonuar dhe kështu lënda ka shkuar në përmbarim”, ka thënë ky burim.
Ndërkaq Koha.net ka kontaktuar edhe me biznesin që ka kryer këto shërbime dhe përmbaruesin Zija Bala. Drejtori i kompanisë, që është prezantuar vetëm si Arturi, nuk ka dashur të fliste, duke thënë se për këtë duhet të kontaktohet vetëm përmbaruesi. E ky vetëm ka konfirmuar se lënda është tek ai në procedurë dhe pritet të shkojë në gjykatë.
Por, ndonëse fillimisht ka pranuar që një ekip nga Koha të shkojë në zyrën e tij në Pejë për t’u sqaruar më detajisht rreth rastit dhe për të marrë më shumë informata, ditën kur është thirrur në telefon për t’u njoftuar për vizitën ai nuk ka pranuar dhe e ka ndalur telefonin.
Në mbledhjen e 64-t të Qeverisë së Kosovës, më 11 shtator 2018, u aprovua vendimi për rivarrimin e eshtrave të heronjve Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj, që ishin të varrosur në Tiranë.
Rivarrimi i tyre u bë më 27 nëntor 2018 me ceremoni e nderime shtetërore. Në atë ditë të ftohtë nëntori, para varreve të tyre, drejtues të shumtë institucionesh, subjektesh politike e qytetarë, nderuan këta heronj që ishin vrarë në një pritë më 9 maj të vitit 1998, në fshatin Miliskajë të Bajram Currit në Shqipëri.