Kryeministri Ramush Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë i ka informuar ministrat e tij në lidhje me raportin e punës dhe takimin që ka pasur me zëvendësministrat.
Me këtë rast ai ka kërkuar nga ministrat që t’iu gjejnë sa më shumë punë zëvendësve të tyre.
“Kam mbajtur një takim me zëvendësministrat. Shumica kanë dëshmuar një shkallë të seriozitetit në punë. Janë raporte të aktiviteteve të tyre. Kam kërkuar që në të ardhmen me i mat efektet. Një lutje e kam për ministrat; që të koordinoheni me ta më shumë për punët javore. Është praktikë e mirë sepse mund të nxjerrim më shumë efekte te mira. Edhe pse është një numër i tillë çfarë është, e që është 74, arsyeshmëria mund të argumentohet nëse atyre iu nxjerrim punë. Iu kisha lut jepnu punë”, u tha Haradinaj ministrave.
Sipas njoftimit nga qeveria, Haradinaj ka kërkuar nga institucionet që të zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara me delegacionin e shtetit të Iowas së SHBA-së, ditë më parë.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka miratuar Koncept dokumentin për vlerësimin e ndikimit në mjedis. “Qëllimi kryesor i këtij Koncept dokumenti është të verifikojë ndryshimet e fundit të legjislacionit evropian dhe të balancojë detyrimet e Kosovës që rrjedhin nga Marrëveshja për Stabilizim Asociim dhe përputhjen me legjislacionin e BE-së”, thuhet në njoftim.
Edhe Koncept dokumenti për Filarmoninë, Operën dhe Baletin e Kosovës, ka marr miratimin në mbledhjen e sotme. Me këtë koncept-dokument, synohet që të nxitet krijimi dhe zhvillimi i politikave, ambientit, mekanizmave dhe infrastrukturës kulturore me qëllim të krijimit të kushteve adekuate teknike dhe profesionale. “Një prej çështjeve më të rëndësishme në këtë kuadër është mbështetja e institucioneve publike të kulturës, si parakusht të përmbushjes së misionit të këtyre institucioneve”.
Qeveria ka miratuar edhe përditësimin e Listës shtetërore të mallrave të kontrolluara strategjike, përfshirë edhe Listën evropiane të mallrave me përdorim të dyfishtë, Listat e përbashkëta ushtarake dhe mallrat që vihen nën kontroll për shkaqe të sigurisë kombëtare, politikës së jashtme, sigurisë publike ose për arsye të të drejtave të njeriut.
U mor vendim edhe për themelimin e Ndërmarrjes së Re Energjetike të Kosovës, ku aksionare do të jetë Qeveria. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka prezantuar detaje rreth themelimit të Ndërmarrjes së Re Energjetike të Kosovës. Lluka tha se kjo ndërmarrje do të jetë nënshkruese e marrëveshjes për blerjen e energjisë, ndërsa ftoi ministrat përgjegjës që të marrin pjesë në mbledhjen që do ta mbahet të premten, në të cilën do të diskutohet për këtë çështje.
Raporti vjetor i statistikave zyrtare për vitin 2017, ka marr gjithashtu miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme. Raporti do të përcillet në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim dhe miratim.
Me vendimin e miratuar sot, Drejtor i Agjencinë Qendrore të Prokurimit është emëruar Behxhet Rukiqi.
Ndërsa, Drejtoreshë e përgjithshme në Drejtorin e Akreditimit të Kosovës në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, është emëruar Nexhmije Selimi.