Arbëri

Kryeministri sllovak përmend Kosovën në kritikën ndaj SHBA-së për Maduron

Fico

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, e ka përmendur Kosovën në një shkrim, nëpërmjet të cilit ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkelje të së drejtës ndërkombëtare me arrestimin e presidentit venezuelas, Nicolas Maduro.

Në Facebook, Fico ka thënë se përdorimi i forcave ushtarake amerikane për të hyrë në Venezuelë dhe për ta kapur Maduron është tregues “i shembjes së mëtejme të rendit botëror të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore”.

“E drejta ndërkombëtare nuk zbatohet, forca ushtarake përdoret pa mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe kushdo që është i madh e i fortë bën çfarë të dojë për të promovuar interesat e veta. Si kryeministër i një shteti të vogël, duhet ta refuzoj me vendosmëri një përmbysje të tillë të së drejtës ndërkombëtare, siç bëra edhe gjatë luftës në Irak, me mosnjohjen e Kosovës si shtet sovran e përdorimin e forcës ushtarake ruse në Ukrainë apo edhe vlerësimin e situatës në Gazë”, ka shkruar ai.

Fico ka thënë se është kurioz të shohë reagimin e Bashkimit Evropian për sulmin ndaj Venezuelës.

Të shtunën gjatë natës, presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, është arrestuar dhe nxjerrë nga Venezuela në një aksion në shkallë të gjerë të kryer nga forcat amerikane në kryeqytetin Karakas, siç ka bërë të ditur presidenti amerikan, Donald Trump. Bashkë me Maduron është kapur edhe gruaja e tij. Maduro do të përballet me akuza në një gjykatë në Manhatan. Lideri i Venezuelës akuzohet për vepra që lidhen me drogë dhe armë.

Fico njihet për lidhjet e tij me Rusinë. Sllovakia është ndër pak shtetet evropiane që nuk e njohin Kosovën.