Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kryeministri i thotë përfaqësueses së BE-së se do të përshpejtohen punët rreth demarkacionit

Prishtinë, 14 shtator - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot Angelina Eichhorst, zëvendësdrejtoreshë menaxhuese për Europë dhe Azinë Qendrore dhe drejtoreshë për Europën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në Shërbimin e Jashtëm Europian, me të cilën bisedoi për agjendën europiane të Kosovës dhe zbatimin e reformave në vend.

Sipas komunikatës për media nga ky takim, kryeministri tha se Qeveria e Kosovës është e angazhuar në përshpejtimin e zbatimit të Agjendës së Reformave Europiane dhe operacionalizimin e veprimeve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, që do të mundësojë përafrimin e vendit me BE-në.

Ai tha se rruga e integrimeve europiane për Kosovën është e qartë dhe se puna e Qeverisë është e përqendruar në sundimin e ligjit, reformat në fushat e ndryshme, rimëkëmbjen ekonomike dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Kryeministri Haradinaj theksoi se Kosova do të përmbushë obligimet e saj bazuar në marrëdhënien kontraktuale me BE-në dhe theksoi rëndësinë që ka për qytetarët e vendit lëvizja e lirë dhe pa viza.

Ai tha se me ndryshimet në komisionin për çështjen e demarkacionit, procesi do të lëvizë shpejt dhe do të jetë plotësisht transparent.

Kryeministri Haradinaj tha se Kosova është e angazhuar në ruajtjen dhe kultivimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore dhe njëkohësisht ka treguar gatishmërinë për vazhdimin e dialogut me Serbinë, si alternativë të vetme, por të ristrukturuar dhe të afatizuar në kohë si dhe me përmbushje të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura.

Edhe Haradinaj: BE-ja të vendosë në të drejtën e kosovarëve për lëvizjen e lirë Arbëri Haradinaj: BE-ja të vendosë në të drejtën e kosovarëve për lëvizjen e lirë

Drejtoresha Eichhorst theksoi se Kosova dhe Ballkani Perëndimor, në përgjithësi, kanë perspektivë europiane dhe të gjitha vendet e rajonit duhet që fillimisht të bëjnë më shumë në zbatimin e kritereve për anëtarësim.

Ajo tha se Kosova duhet të angazhohet në përmbushjen e obligimeve të saj që do ta hapte rrugën e integrimeve dhe veçanërisht procesin e liberalizimit të vizave.