Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, edhe njëherë u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar në rrjetin e kanalizimit, në veçanti, për mos hedhje të faculetave të lagura, yndyrave e gjërave ushqimore.
Sipas KRUP, kjo më së shumti po ndodhë nëpër restorante tek kafet e vogla në kryeqytet, ku duhet intervenim i përjavshëm për t’i pastruar kanalizimet.
“Ua kujtojmë edhe tash, si shpeshherë, që ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të kanalizimit në kuadër të KRU" Prishtina " sh.a. përgjatë një muaji, konkretisht muajin e fundit kanë intervenuar në më shumë se 300 raste, zhbllokime të ujërave të zeza. Prej 300 rasteve ,më shumë se 200 sosh kanë qenë të natyrave të rënda, të shkaktuara nga njerëz të papërgjegjshëm duke hedhur mbeturina, gjëra ushqimore, paloma të lagura, jorganë, thasë të fasuleve, goma, yndyrna të ndryshme dhe shumëçka që e dëmtojnë rrjetin e kanalizimit”, thuhet në apelin e KRUP.
Gjithnjë sipas kompanisë në fjalë, më së rëndi ballafaqohen punëtorët për shkak të erërave të rënda që kundërmojnë.
Lexo edhe këtë: KRUP lut qytetarët të mos hedhin mbeturina në puseta
“Disa nga ju jeni dëshmitarë, që në rastin konkret te kafet e vogla, në afërsi të restoranteve bllokohen kanalizimet dhe arsyeja e vetme është hedhja e mbetjeve ushqimore. Kush po i hedh mbetjet e ushqimeve me yndyrna në rrjetin e kanalizimit, pse po bllokohen çdo dy javë pusetat në afërsi të restoranteve ??!! Ne, me ekipet tona më së shumti intervenojmë në atë zonë. Mos ua humbni mundin punëtorëve tanë kur, ata u kanë dalë në ndihmë çdoherë. Ju lutemi të keni kujdes ndaj rrjetit të kanalizimit. Nuk është shportë mbeturinash. Gjeni bashkëngjitur një fotografi që e dëshmon më së miri bllokimin dhe zhbllokimin e pusetës te restorantet pikërisht te kafet e vogla”, përfundon njoftimi i KRUP.