Arbëri

KRU “Prishtina” është detyruar të bëjë reduktime të ujit në Podujevë

Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka thënë se për shkak të shpenzimit enorm, janë detyruar të bëjnë reduktime të ujit në disa pjesë të qytetit të Podujevës dhe disa fshatra.

Mjeku ka shtuar se shkaku i keqpërdorimit, Komuna e Podujevës ka nxjerr një urdhërese administrative për parandalimin e keqpërdorimit të ujit të pijshëm, duke përcaktuar edhe gjobat mandatore.

“Për shkak të shpenzimit enorm të ujit të pijshëm nëpër fshatrat e Podujevës dhe mungesës së ujit në katet e larta të ndërtesave në qytetin e Podujevës, ne jemi detyruar të bëjmë shpërndarje të barabartë të ujit duke filluar me reduktime të planifikuara. Duke filluar nga ora 08:00 deri në 16:00. Janë të publikuara në uebfaqen e KRU Prishtina se për cilat vendet bëhet fjalë. Kemi qenë të detyruar, jo s’e kemi dashur. Nga të gjitha komunat, Podujeva ka nxjerr një urdhërese administrative për parandalimin e keqpërdorimit të ujit të pijshëm, duke përcaktuar edhe gjobat mandatore, për personat fizik 100 euro, kurse ata juridik 300 euro”, ka thënë Mjeku në emisionin “SOT” të KTV-së.

Mjeku ka thënë se keqpërdorimi i ujit po bëhet duke ujit arat e kopshtet, por sipas saj, një numër i konsiderueshëm janë të kyçur ilegalisht në sistemin e ujësjellësit.

Mjeku bëri apel që uji të shpenzohet në mënyrë racionale nga të gjithë.