Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kronikë e KTV-së rreth dështimit të anëtarësimit të Kosovës në Interpol

Kiribati dhe Vanuatu e kanë çuar në 194 numrin e shteteve anëtare të Interpolit, organizatë nga e cila sërish mbeti jashtë Kosova.

Punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit, edhe në tentimin e tretë, sollën rezultatin e njëjtë për Kosovën, raporton KTV.

E ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, derisa theksonte se Serbia luajti rol kyç në këtë rezultat, njëkohësisht, bënte thirrje për t’u treguar konstruktiv.

Në Dubai, pa ndonjë paralajmërim, u shfaq edhe presidenti Hashim Thaçi, që ka shfrytëzuar rastin të përmendë nevojën për arritjen e marrëveshjes me Serbinë, gjë e cila sipas tij, do të siguronte anëtarësimin automatik në të gjitha organizatat.

Zhgënjimin, pas dështimit edhe në Interpol, e ka shfaqur edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

“Fushata e egër e Republikës së Serbisë dëshmoi edhe një herë karakterin e saj kundër Kosovës dhe kundër idesë për normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës, aq më parë, kur ky anëtarësim ishte teknik dhe jo politik. Votimi kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, i bën shërbim vetëm krimit dhe kriminelëve dhe askush nuk do të duhej t’i gëzohej këtij fakti”, ka shkruar ai.

Përndryshe, në rundin e parë, Kosova mori votat pro nga 76 shtete, kundër ishin 56 e 22 abstenuan, derisa i nevojiteshin të paktën 88 vota, ose 2/3 të votave të shteteve prezente.

Rundi i dytë u tregua edhe më i dobët, pasi Kosova mori 68 vota për, 51 kundër dhe 16 abstenime.