Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kronikë e KTV-së për zhvillimet e sotme në Kuvend

Vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme për votimin e demarkacionit, sërish ka sjellë gaz lotsjellës në Kuvend.

Kur u vendos të shkohej në votim, u hodh gaz lotsjellës nga deputetët e Vetëvendosjes, raporton KTV.

Gazi i parë u lëshua nga deputetët Xhelal Sveçla e Fitore Pacolli, përcjellë nga Sali Zyba.

Në përpjekje për ta ndalur votimin, kur të gjithë deputetët shkuan në pauzë dhe në sallë qëndronin vetëm ata të VV-së, deputeti Liburn Aliu, bëri një veprim të pazakontë.

Ai mblodhi kartelat që shërbejnë për votim të deputetëve të PDK-së dhe AAK-së.

Pasi për gati një orë u pastrua salla nga gazi, deputetët u kthyen sërish, por nuk zgjati shumë dhe gazi e kaploi sërish këtë ambient.

Sigurimi i Kuvendit hyri për të kontrolluar në hapësirën e deputetëve të VV-së, gjë që tensionoi situatën dhe gati pati një përplasje me Sali Zybën.

Pas një pauze tjetër, u hodh sërish gaz lotsjellës.

E kësaj radhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, i humbi durimi. Ai nëpër dhëmbë shau deputetët e Vetëvendosjes me këtë shprehje.....SHARJA

Kryesia e Kuvendit mori vendim për t’i përjashtuar deputetët e VV-së nga seanca e Kuvendit.

Por, meqë ky vendim nuk u realizua, arriti urdhri i prokurorit të Themelores në Prishtinë, për arrestimin e deputetëve të VV-së.

Policia hyri në sallë për të ekzekutuar urdhrin, por në këtë moment administrata e Kuvendit u përkujdes për diçka tjetër.

Pasi kishte nxjerrë nga salla gazetarët dhe kameramanët, u futën lart, aty ku qëndrojnë kamerat dhe të gjitha i ulën me fokus poshtë, duke pamundësuar që të shihet direkt arrestimi i tyre.

Pa i parë mediat këto skena, policia arrestoi 5 deputetët brenda sallës së Kuvendit.

Por, këto momente u kujdes t’i xhironte me telefon vetë deputeti Zyba.

Shumica e deputetëve më shumë se kurrë, sot kanë qenë këmbëngulës dhe u kthyen sërish në sallë në tentimin e radhës për ta votuar marrëveshjen.

Dhe, erdhi radha e katërt për hedhjen e gazit, për çka u kujdes deputeti Valon Ramadani.

Derisa në Kuvend u hodhën pothuajse 10 bombola gazi lotsjellës, dikush nga jashtë gjuajti gurë në drejtim të Kuvendit, duke thyer kështu xhamat e ndërtesës.

 

Artikuj të ngjashëm