Një tjetër jetë është humbur në ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”, raporton KTV.
Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 8 e 30 në fshatin Kovaqec, ka vdekur 41 vjeçari me inicialet TT, pasi ka marrë lëndime serioze pas goditjes nga rrotat e pasme të një automjeti.
Ngasësi i këtij automjeti, 24 vjeçari M.S, është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit.
Ministri i Infrastrukturës,Pal Lekaj, pas kësaj ngjarje tragjike ka takuar drejtorin e kompanisë Bechtel&Enka, Riyash Alkhazjari.
Në një komunikatë për media të lëshuar pas takimit ata kanë shprehur ngushëllime familjes për rastin, duke shprehur gatishmërinë që tu qëndrojnë afër.
Edhe
Reagon Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale pas vdekjes së punëtorit të Bechtel-Enkas
Por, për rastin, ka reaguar ashpër deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu. “Edhe sot paska humbur jetën në vendin e punës një punëtor i Bechtel Enkes. Kjo kompani i trajton punëtoret sikur të ishin skllevër: me paga të vogla, me mungesën e kushteve për punë e me shkelje të të drejtave.
Ndërkohë kjo kompani është favorizuar vazhdimisht nga Shteti,” ka shkruar Haxhiu. Ajo ka kërkuar nga Inspektorati i Punës, raportim në kuvend për vdekjet e punëtorëve në kompaninë Bechtel Enka dhe kompanitë e tjera.