Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kriza në Telekom përplas në distancë Vetëvendosjen me Bordin e kësaj ndërmarrje

Kur kanë mbetur vetëm edhe katër ditë deri te data e paralajmëruar për shkëputjen e kontratës aktuale të Telekomit të Kosovës me operatorin Z-Mobile, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga ndërmarrja publike të mos e vazhdojë këtë kontratë.

Deputeti i kësaj partie, Liburn Aliu, tha se heshtja e Bordit të Drejtorëve të Telekomit, në këtë fazë, është shqetësuese.

Përveç mosvazhdimit të kontratës, Aliu kërkoi edhe kthimin e, siç ka thënë, fondeve të plaçkitura përmes saj.

Pasi vlerësoi se kontrata aktuale i ka shkaktuar humbje të mëdha ekonomike Kosovës, deputeti i Vetëvendosjes tha se vazhdimi i saj do të përbënte krim të dyfishtë.

Ndërsa, drejtuesi i Komitetit për Komunikime Elektronike në këtë parti, Fatban Bunjaku, vlerësoi se kontrata me Z-Mobile, përveç operatorit Vala, e ka dëmtuar edhe vetë tregun e telefonisë mobile.

Edhe VV-ja e konsideron shqetësuese heshtjen e bordit të Telekomit rreth kontratës me Z-Mobile Arbëri VV-ja e konsideron shqetësuese heshtjen e bordit të Telekomit rreth kontratës me Z-Mobile

Madje, Bunjaku ka fajësuar operatorin Z-Mobile edhe për problemet e fundit në rrjetin e Telekomit, duke thënë se ato janë pasojë e ngarkesës nga ky operator.

Pak orë pas, përmes një komunikate, ka reaguar Bordi i Drejtorëve të Telekomit, i cili deklarimet e zyrtarëve të Vetëvendosjes i ka cilësuar dezinformata për qëllime dhe agjenda politike.

Bordi ka kërkuar nga kjo parti politike që të mos ndërhyjë në punët e kësaj ndërmarrjeje publike.

“Nuk është e para herë që drejtues më të lartë të këtij subjekti politik gjatë konferencave, debateve publike dhe publikimit të raporteve të tyre, Telekomin e Kosovës e përmendin zakonisht në kontekst negativ. Përveç kësaj, këta zyrtarë, duke mos qenë të informuar zyrtarisht rreth performancës, zhvillimit dhe gjendjes aktuale në këtë ndërmarrje, informatat mund t’i kenë bazuar nga struktura apo klane të ndryshme brenda apo jashtë kompanisë dhe asnjëherë nuk kanë bërë informim të saktë rreth kësaj korporate. Kjo është joprofesionale dhe jorelevante si dhe dëmton rëndë imazhin e Telekomit të Kosovës”, thuhet në përgjigjen nga Bordi i Drejtorëve, Telekomi i Kosovës.

Edhe Vetëvendosje kërkon që numrat e Z-Mobile të rikthehen te Vala, thotë se ARKEP nuk duhet të krijojë pengesa Arbëri Vetëvendosje kërkon që numrat e Z-Mobile të rikthehen te Vala, thotë se ARKEP nuk duhet të krijojë pengesa

Tutje, në reagim thuhet se “Bordi dhe menaxhmenti ekzekutiv i Telekomit të Kosovës është maksimalisht i përkushtuar në mbrojtjen e interesave të kësaj kompanie” dhe se këta trupa të ndërmarrjes janë “të hapur dhe transparentë për informimim e saktë të të gjitha palëve, lidhur me gjendjen dhe sfidat me të cilat po përballet ndërmarrja”.

Muajin e kaluar, gjatë një proteste të punëtorëve, kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi, ka paralajmëruar se me 30 korrik do ta njoftojnë operatorin Z-Mobile për shkëputjen e kontratës.