Ngritja e çmimeve të lëndëve djegëse, paralajmërimet për reduktime të energjisë elektrike, kanë nisur të lënë pasoja edhe në pyjet e Kosovës. Qytetarët me qëllim që të sigurojnë së paku dru për ngrohje, jo rrallë ia mësyjnë prerjes ilegale. Mosreagimi i organeve, mungesa e kujdesit për pyjet, kanë hapur terren, përderisa në këtë mes edhe shitësit e druve dhe çmimi i tyre kanë koston e vet në dëm të pyjeve
Prishtinë, Keqekollë, Ballaban, 24 shtator – “Nëse ma vret djalin të fal, nëse ma pret malin jo”, është një thënie e moçme që dëshmon përkushtimin e dikurshëm në mbrojtje të natyrës. Prerja e pyjeve rëndom bëhej për ditët më të vështira dhe vetëm për nevoja personale. Kishte një lloj rregulli a kujdesi: përzgjidhej një lis, kur afër kishte një filiz. Sepse dikur ishte e qartë se duheshin vetëm 5 minuta për ta prerë një dru. E 100 vjet të tjera që ai të rritej.
Pyjet e sotme nuk bëjnë më as hije. Janë rralluar dukshëm, dhe ka pak lisa të moçëm. Rrita u ndalet në gjysmë, se aty tashmë për dikë ka mbetur mbijetesa e për dikë fitimi.
Alarmi i prerjeve ilegale
Këso pamjesh jep edhe natyra në Keqekollë të Prishtinës. E gjendur në mes të rrugës që ndan kodrën, zabelet e saj janë plot me shkurre. Gjatësia e ndryshme e drurëve i ndan qartë vijat e kufijve mes korijeve. Disa qëndrojnë më mirë, meqë pylli është prerë me kujdes e ka nisur sërish të rritet. Disa të tjerë janë bërë rrah.
Këtë gjendje e ka pak kilometra më tej edhe pylli në Ballaban. Është dëshmi e qartë se çfarë fuqie ka dora e njeriut në hijeshinë a shëmtinë e malit. Problemi më këto pyje është kryesisht prerja ilegale që sidomos vitin e kaluar e këtë vit ka nisur të bëhet alarmante.
Një prej shkaktarëve konsiderohet të jetë kriza energjetike e paralajmëruar sidomos gjatë dimrit.
Reduktimet e rrymës shumë familje mund t’i lënë pa ngrohje në mot të ftohtë, dhe si alternativë po e gjejnë ngrohjen me dru. Kjo situatë përdoret edhe nga persona që drurin nuk e përdorin për nevoja personale, por për qëllime fitimprurëse.
Ka shumë raste që i ka raportuar Agjencia Pyjore e Kosovës ku ka evidentuar se persona të shumtë po presin ilegalisht malin për të shitur më pas drutë me çmime tejet të larta, duke shfrytëzuar kësisoj situatën me rritje të çmimeve.
Një metër dru ka shkuar deri në 80 euro. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, krahasuar me vitin e kaluar çmimi për një metër dru është rritur 48.6 për qind.
Besim Zogu, drejtor i Drejtorisë Qendrore të Inspektoratit për Pylltari dhe Gjueti në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, ka thënë se situata e krijuar me energjinë elektrike mund ta përkeqësojë gjendjen e pyjeve me prerje ilegale e të parregullta.
“Në bazë të raporteve shihet se gjendja e pyjeve ende është larg asaj që dëshirojmë, asaj që kemi si synim për arsye se ka nivel të lartë të prerjeve ilegale dhe nivel të lartë të prerjeve të parregullta. Megjithatë, trendi është pozitiv, në përjashtim vitin e kaluar dhe këtë vit që unë pres të ketë rritje të nivelit të prerjeve ilegale për shkak të rrethanave të krijuara të mungesës së energjisë”, ka thënë Zogu.
Ergin Hajdari, nga Programi i Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), ka thënë se ka shumë faktorë që kanë sjellë deri te situata kur pyjet po priten ilegalisht e me të madhe në Kosovë. Ai ka thënë se ndër shkaktarët është edhe gjendja ekonomiko-sociale në vend. Sipas tij, në këtë situatën ka ndikuar inflacioni e sidomos kriza me energjinë elektrike që shtynë prerësit ilegalë të kryejnë këtë aktivitet, meqë në situata të tilla nxjerrin përfitime të konsiderueshme.
“Duke marrë në konsideratë ngritjen e çmimit të peletit që është më shumë se dyfish, pastaj ngritjen e çmimit të energjisë elektrike normalisht, që njerëzit janë fokusuar te druri. Por, meqë është shtuar kërkesa e drurit, në këtë rast në mënyrë automatike kemi edhe rritjen e çmimit të druve të zjarrit”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se janë duke bashkëpunuar me Agjencinë e Pyjeve që së paku vitin e ardhshëm të shtohet prerja e lejuar e pyjeve, në mënyrë që të mbulohen kërkesat e qytetarëve.
“Fokusi kryesor duhet të jetë duke filluar nga furnizimi i popullsisë në baza legale me dru zjarri, në mënyrë që të bëjmë edhe balancimin e kërkesës me ofertën”, ka thënë Hajdari.
Për ta parandaluar këtë situatë me prerjet ilegale, Zogu ka thënë se nga Inspektorati i Agjencisë Pyjore u është bërë kërkesë komunave që kanë potenciale pyjore që ta rrisin planin e shfrytëzimit të pyjeve dhe me monitorim të tyre të lejohet furnizimi i qytetarëve me dru për ngrohje.
Vjetrimi i lëndëve në gjykata
Hajdari nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë fajtore për gjendjen në terren e lë edhe moskoordinimin ndërinstitucional në aspektin e mbrojtjes së pyjeve. Mungesën e bashkëpunimit mes institucioneve e vë në pah edhe vetë drejtori i DQIPGJ-së, Besim Zogu, i cili ankohet se gjykatat në Kosovë nuk i trajtojnë me kurrfarë prioriteti lëndët që u shkojnë atyre nga Agjencia për prerje ilegale. Ka kritikuar edhe dënimet e vogla për dëmet që i bëhen pyllit.
“Është problemi i gjyqësorit ku shumica e lëndëve që i adresojmë në gjykata qoftë penale, kundërvajtëse, si Inspektorat, parashkruhen për shkak të vjetërsimit të lëndëve. Dënimet që i shqiptojnë faktikisht janë dënime pothuajse shumë të ulëta në raport me dëmet që shkaktohen”, ka thënë Zogu.
Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk kanë kthyer përgjigje në lidhje me statistikat e lëndëve për prerje ilegale të pyjeve që trajtohen nga ta. Por, sipas të dhënave që ka Agjencia e Pyjeve, në raport gati të ngjashëm qëndrojnë lëndët që janë parashkruar me ato që kanë përfunduar me aktgjykime dënuese.
Prej vitit 2015 e deri tash janë 428 raste të parashkrimit të lëndëve për prerje ilegale të pyjeve e 474 raste të lëndëve që janë kryer e kanë përfunduar me aktgjykime dënuese. Madje prej vitit 2015 deri në vitin 2018 më shumë ka pasur lëndë që janë parashkruar sesa që kanë përfunduar me dënime ndaj shkelësve të ligjit. Që nga 2015-a Agjencia ka dorëzuar 150 fletëparaqitje penale, por deri më tash për këta 7 vjet vetëm një dënim me burg është regjistruar më 2018-n.
45 për qind e sipërfaqes totale të Kosovës është me pyje. Problematike për ruajtjen e tyre është edhe numri i vogël i rojave dhe sipërfaqja e madhe që ata e kanë në përgjegjësi që ta ruajnë. Një rojë pylli është përgjegjës për një terren prej 500 deri në 1500 hektarësh.
Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.