Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kris “bashkimi i madh” në LDK

Lumir Abdixhiku

I proklamuar si “bashkimi i madh i së djathtës” para zgjedhjeve të 7 qershorit, Lidhjes Demokratike të Kosovës po del se nuk ia solli as bashkimin e brendshëm. Tri degë të kësaj partie i kanë kërkuar Lumir Abdixhikut dorëheqje pas dështimit në zgjedhje. Në përgjigje, Abdixhiku refuzoi e u kërkoi kryetarëve të degëve ta bëjnë një gjë të tillë. Madje me akuza për sabotim.

Ajo që nisi shkëndijën e shkundjes qe dega në Pejë. Kjo degë, në të cilën LDK-ja udhëheq tash e sa mandate, kërkoi nga Abdixhiku dorëheqjen si akt moral dhe politik.

“Pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë. Në këtë drejtim, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja. Kryesia konsideron se ky duhet të jetë një imperativ i qartë i kësaj shtëpie të demokracisë, në funksion të ruajtjes së besimit të anëtarësisë dhe forcimit të standardeve demokratike brenda partisë”, ka shkruar kjo degë në Facebook.

Fiks 10 minuta më pas, dega në Lipjan kërkoi “dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre”.

Pasoi përgjigja e Abdixhikut. Në një shkrim, po ashtu në Facebook, ai i cilësoi sugjerime të koordinuara të këtyre dy degëve. Ka thënë se pajtohet që rezultati në këto dy degë nuk ishte i kënaqshëm, megjithatë refuzoi çështjen e dorëheqjes për vete. Tek ka thënë se atë e ka trajtuar më 31 janar kur u votëbesua, Abdixhiku ka thënë se i pret dorëheqjet morale të dy kryetarëve të këtyre degëve. “I pranoj menjëherë”, ka thënë ai për Gazmend Muhaxherin që dikur ishte nënkryetar i partisë e Imri Ahmetin që ushtronte funksionin e sekretarit.

Abdixhiku tutje ka vazhduar me akuza duke thënë se nuk do të lejojë “që projektet e ndarjeve të LDK-së nga sabotues të qëllimshëm të marrin formë”.

“Ato dështuan më 31 janar; dështuan në zgjedhje, do te dështojnë edhe tash. Që nga atëherë, me te gjitha pengesat e dyshimet, në një kohë aq të shkurtë, ne megjithatë u rritëm. Sot, në asnjë rrethanë, me asnjë çmim, nuk do të lejojmë që vullneti i shumicës dërrmuese të LDK-së të tjetërsohet ne projekte që synojnë ndarjen dhe më pas shuarjen e LDK-së”, ka shtuar Abdixhiku duke bërë thirrje për ruajtje të qetësisë.

E tekstin në fillim e mbarim e shoqëroi me fjalët “Si nuk u ngopën kurrë?!”

Pas humbjeve, dhe përplasjeve që veç u bënë publike, dorëheqjen e Abdixhikut e kërkoi edhe Dega e dytë e LDK-së në Prishtinë.

“LDK-ja po rrëshqet drejt margjinalizimit politik, duke e betonuar veten në pozitën e tretë dhe duke u shndërruar në një parti pa peshën e duhur politike dhe shtetndërtuese. Ky është një realitet i papranueshëm për partinë e Ibrahim Rugovës dhe një dëm i madh për vetë shtetin e Kosovës. Prandaj, kjo situatë kërkon reflektim të thellë, përgjegjësi politike dhe vendime të guximshme”, u tha në letrën e kësaj dege.

Nënkryetarja e partisë, Doarsa Kica ka reaguar më vonë duke thënë se rezultati kërkon reflektim, por që bashkon e jo copëton partinë. Tek bëri thirrje për unitet, Kica-Xhelili ka thënë që nuk duhet të lejohet që LDK-ja të përçahet.

Reagime për krisjen në LDK pati edhe nga jashtë partisë. Deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Kërçeli, ironizoi me kërkesat e LDK-së për gazin amerikan. “LDK-ja merret me Gazin Amerikan, ndërkohë që nuk po arrin ta mbajë as Gazin e Pejës”, ka shkruar ai.

Përçarjen e ka komentuar edhe koordinatorja e Komiteteve në LVV, Dejona Mihali, që së fundmi ka pasur përplasje me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, e që ka marrë postin me mbështetjen e LDK-së. Mihali i ka cilësuar përplasjet pikërisht plan të Ramës dhe dy zyrtarëve të Partisë Demokratike, Sami Lushtaku e Uran Ismaili.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, LDK-ja mbeti e treta. Ajo mori 16.69 për qind të votave, ndërsa në Kuvend u rrit për tre deputetë. Në listë ajo riktheu ish-presidenten Vjosa Osmani. Në fushatë u proklamua si “bashkimi i madh i së djathtës”.

Abdixhiku mori mbështetjen e partisë për të vazhduar si kryetar më 31 janar, kur u votëbesua nga anëtarësia pas dështimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Edhe atëherë ishte forcë e tretë, por me 13.24 për qind të votave.

Bajrami: Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja për LDK-në

2 muaj më parë / 24 qer 2026 10:19
Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja e duhur për partinë, pas përplasjeve që u shpërfaqën në lidership.

Tri degë të kësaj partie të martën i kërkuan Lumir Abdixhiut dorëheqjen nga posti i kryetarit pasi partia doli sërish e treta në zgjedhjet e 7 qershorit. Ai refuzoi duke thënë se ka besimin e partisë në votëbesimin e 31 janarit, teksa u kërkoi dorëheqjen kryetarëve të atyre degëve.

Bajrami që atë kohë ishte dorëhequr nga pozita e nënkryetares së LDK-së ka thënë se partia ka nevojë për reflektim të thellë.

“Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja, të sillemi me dinjitet, sepse pozitat nuk janë të përhershme. E kam thënë edhe në janar se në LDK përgjegjësia politike nuk mund të jetë selektive dhe se pas një rezultati të rëndë zgjedhor, duhet të ketë reflektim, përgjegjësi dhe zgjedhje të brendshme”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Ajo ka thënë se edhe votimi ku rreth 45 për qind e delegatëve u deklaruan në favor të dorëheqjes, ishte tregues se partia ka nevojë për reflektim.

“Por kryetari vendosi të vazhdojë, madje me kompetenca të zgjeruara nga po ai Kuvend. Sot, pas një rezultati tjetër zgjedhor që e la LDK-në përsëri në vendin e tretë dhe pas kërkesave publike të disa degëve për përgjegjësi politike, bëhet edhe më e qartë se problemet që i kishim identifikuar në janar nuk janë adresuar asnjëherë. Qëndrimi im nuk ka ndryshuar. LDK-ja ka nevojë për reflektim të sinqertë, përgjegjësi politike dhe hapje të një kapitulli të ri që rikthen besimin e anëtarësisë dhe të qytetarëve. LDK-ja është shumë më e madhe se secili prej nesh!” ka shkruar tutje ajo.