Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Krerët politikë urojnë për Fitër Bajram

Foto: Alban Bujari / Koha

Krerët politikë kanë uruar qytetarët me rastin e Fitër Bajramit.

Në mëngjesin e së martës kanë uruar kryetarët e partive opozitare, Isa Mustafa i LDK-së e Albin Kurti i Vetëvendosjes.

Mustafa ka thënë se festat e tilla dëshmojnë unitetin qytetar e tolerancën ndërfetare në Kosovë.

“Të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, urime Festa e Fitër Bajramit. Në përfundim të muajit të shenjtë të Ramazanit, pas një muaji agjërimi, le të pranohen të gjitha lutjet e besimtarëve myslimanë. Uroj që solidariteti dhe mirëkuptimi të zotërojnë në familjet tona. Festat e tilla forcojnë besimin në vlera të larta njerëzore të dashurisë, sakrificës, faljes dhe solidaritetit. Poashtu, dëshmojnë dhe forcojnë unitetin qytetar dhe tolerancën ndërfetare në Republikën e Kosovës. Paqe dhe gëzime në familjet e juaja. Urime!”, thuhet në urimin e tij.

Kurti, në anën tjetër, ka thënë që duhet të synohet kah e drejta, e mira e e vërteta.

Edhe Krerët politikë urojnë Kurban Bajramin me mesazhe për solidaritet dhe unitet Arbëri Krerët politikë urojnë Kurban Bajramin me mesazhe për solidaritet dhe unitet

“Pas agjërimit të përditshëm në Ramazan dhe bashkimit të rregullt për Iftar erdhi festa e përbashkët e Fitër Bajramit. Urime e me gëzime! Vetëpërmbajtja individuale përgjatë një muaji, sakrifica vetëmohuese e kalitja shpirtërore vazhdohen me shumë solidaritet për ata që kanë më pak. Festa është e të gjithëve kur është për të gjithë. Me dashuri rreth sofrës së përbashkët, plot shpresë në zemra që agjërimi të jetë i pranuar, e me dorën e zgjatur të përkrahjes për të varfërit me fat Fitër Bajramin! Sivjet dhe sot, Fitër Bajrami përputhet me ditëlindjen e Mulla Idriz Gjilanit i cili e shkriu jetën e vet për leximin dhe mësimin, për shkollimin e brezave, derisa ra dëshmor në betejë për liri e për bashkim kombëtar këtu e 70 vjet më parë. Le të festojmë sepse le të anojmë kah e drejta, kah e mira, kah e vërteta, kah e mbara, kah e bukura”, ka uruar Kurti.

Kryeministri Ramush Haradinaj për Fitër Bajram u ka ndarë ëmbëlsira policëve të Kosovës.

“Në këtë ditë feste e nisa mëngjesin duke ndarë ëmbëlsira me Policinë e Kosovës. Në rrugëtimin tonë si shtet e shoqëri qofshim gjithmonë krah për krah. Me fat Fitër Bajrami!”, ka shkruar ai në Facebook.

Fitër Bajramin e ka uruar edhe kryetari i PSD-së dhe Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Me fat Bajrami! Si gjithmonë, Bajrami le të na shërbejë për sa më shumë solidaritet me njëri tjetrin. Uroj për sa më shumë mirëqenie e lumturi në familjet tuaja”, ka shkruar ai në Facebook.

Të hënën në mbrëmje ka uruar edhe presidenti Hashim Thaçi.

Edhe Liderët me thirrje për reflektim e solidaritet në festën e Kurban Bajramit Arbëri Liderët me thirrje për reflektim e solidaritet në festën e Kurban Bajramit

“Besimtarëve myslimanë ua uroj festën e Fitër Bajramit, të cilës i gëzohemi bashkë me më të dashurit tanë. Duke dëshmuar bujarinë tonë, bamirësinë, tolerancën, fisnikërinë dhe çdo vlerë të shoqërisë sonë, duke i forcuar dhe besuar në to, ne e mbështesim njëri-tjetrin, përkujdesemi për njëri-tjetrin dhe bashkërisht, pa dallime, ecim përpara!” ka shkruar Thaçi në urimin e tij.

Me rastin e faljes së namazit të Fitër Bajramit, myftiu Naim Tërnava kërkoi unitet qytetar e politik në vend që të gjithë së bashku ta mbrojnë vendin dhe të punojnë për të ardhmen e Kosovës. Tërnava u ka bërë thirrje të gjithëve që të mos braktisin Kosovën, ndërkohë ka bërë thirrje që të krijohen vende punë dhe siguri e mirëqenie për të gjithë.