Drejtori teknik në Telekomin e Kosovës, Halil Krasniqi, deklaroi se që nga e marta, kjo kompani është përballur me sulme kibernetike, por që nuk kanë rrezikuar sigurinë e konsumatorëve.
Ai tha të mërkurën në Interaktiv të KTV-së, se sulmi u krye nga 30 mijë kompjuterë.
Sipas Krasniqit, sulmet janë të paidentifikuara dhe se kanë ardhur nga IP të ndryshme të huaja.
“Sulmi njihet si DDoS, është një sulm që krijohen pako të rrejshme në rrjet, nga shumë kompjuterë. Cak s’është një IP i caktuar. Dëmi i vetëm është ngarkesa në rrjet. S’ka ndonjë rrezik tjetër në sistemin e rrjetit. Kemi identifikuar një rang të madh të IP-ve, 30 mijë kompjuterë në të njëjtin kohë kanë sulmuar serverin tonë të Telekomit. Kanë qenë vende të ndryshme sulmet, por IP-të që vinë, vinë edhe nga kompjuterë në rrjet që as vet nuk e dinë që po të sulmojnë. Sulmuesi i infekton me mijëra kompjuterë dhe arrin ta sulmojë cakun”, deklaroi ai.
Krasniqi tha se po bëhet analizë se nga cilat shtete pati sulme, derisa shtoi se janë duke bashkëpunuar me autoritetet e sigurisë për zbardhjen e rastit.
“Telekomi ka pasur kontakt sot me organet, kjo çështje nuk është e vetëm një operatori të mbrohet. Do ta vazhdojmë bashkëpunimin dhe do të shohim, pasi nga këto IP-të nuk mund të gjendet burimi apo sulmuesi. I kemi mekanizmat tona për t’u mbrojtur nga këto sulme”, tha tutje Krasniqi.
Drejtori teknik i Telekomit potencoi se aktualisht kompania është e sigurt, por që duhet pasur kujdes dhe të jenë vigjilentë.