Albert Krasniqi nga KDI në Interaktiv të KTV-së ka thënë se është qesharake deklarata e kryeministrit që nuk ka kohë për ta udhëhequr dialogun me Serbinë, ndërsa thekson se nëse s’ka kohë kryeministri atëherë ai duhet të largohet.
Në Rubikon të KTV-së, Haradinaj sot ka deklaruar se nuk ka kohë për ta udhëhequr dialogun me Serbinë, e sipas tij “presidenti është më i lirë, ose kryeparlamentari”.
Haradinaj thotë se s’ka kohë për dialogun, i lëshon rrugë presidentit
“Është vërtetë qesharake arsyetimi i Haradinajt se s’ka kohë, pasi detyrat janë të caktuara. Nëse nuk mund t’iu bëjë ballë të gjitha atyre punëve, atëherë ai duhet të largohet. Ai nuk ka shumë informata, si për gylensitët, ashtu edhe për arrestimin e Gjuriqit që ka dhënë urdhër Thaçi. Është për keqardhje propozimi i kryeministrit që t’ia lë në dorë presidentit dialogun, kjo është një lojë dhe ikje nga përgjegjësia. Thaçi nuk është i duhuri për këtë pasi nuk ka pasur transparencë, kurse ka pasur edhe gabime të mëdha”, ka deklaruar Krasniqi.
Krasniqi nuk është optimist se tryezat do të sjellin ndonjë rezultat pozitiv.
“Edhe kjo tryezë sado që në dukje është mirë, por nuk është premtuese se do të ketë rezultat pozitiv. Asnjëra prej partive politike nuk është e gatshme për zgjedhje, dhe kjo po i konvenon kryeministrit Haradinaj. Në rrethana normale Kryeministri do të duhej të kërkonte mocion të votëbesimit, por duket se qëllimi i tij është mbajtja e pushtetit, e nga ana tjetër opozitarët nuk kanë koordinim të mirë, e këtë krizë e ka thelluar edhe më shumë ndarja e Vetëvendosjes”, shprehet Krasniqi.
Edhe
Kurti paralajmëron diskutime për Qeverinë, Kuvendin dhe presidentin
Krasniqi shton se platforma që deri më tani janë vazhduar negociatat, ka qenë e vitit 2011 dhe që nga atëherë ka pasur shumë zhvillime, por edhe atëherë nuk ka qenë shumë e qartë se çfarë pozicioni duhet të ketë Kosova në këtë dialog. Ai thotë se është shumë e rëndësishme që ky dialog të përfundojë me sukses.
“Partitë nuk duan që ta përkrahin këtë platformë, kundërshtimet janë të mëdha dhe është e vështirë të përfundojë me ndonjë rezolutë. Është shumë e rëndësishme që të ketë transparencë më të madhe në këtë aspekt, disa prej marrëveshjeve ende nuk dihet se çfarë marrëveshje janë arritur. Rreth 20 marrëveshje janë arritur. Madje edhe vet Kuvendi ka pak informata për këto marrëveshje, Thaçi kishte shpërfillur totalisht Kuvendin. Pasojat e saj mund të jenë shumë të mëdha nëse nuk menaxhohen sa duhet. Duhet të jetë një platformë përmbajtjesore”, ka thënë Krasniqi në Interaktiv të KTV-së.
Ai shton se, “në këtë platformë nuk flitet as për të zhdukurit, as pensionet, e Kosova marrëveshjet e saj pothuajse i ka kryer. Serbia në anën tjetër nuk e ka bërë, siç është ajo e energjisë, ura e Ibrit, njohja e diplomave, shuarjen e strukturave paralele, e shumë të tjera, kurse nuk ka asnjë presion ndaj palës serbe që këto t’i kryejë”.
Ai që e udhëheq dialogun është i rëndësishëm, sipas Krasniqit, por dialogu kryesor do të duhej të zhvillohej brenda shoqërisë kosovare.
“Janë bërë dëme të mëdha gjatë kësaj rruge, dhe mund të vijë një grup i cili mund të marrë faturën e të gjitha gabimeve. Partitë që kanë marrë pjesë në këtë proces, kanë bërë gabime të mëdha, e një jurist e dinë se janë bërë shkelje kushtetuese në dialog”, thotë Krasniqi.
Edhe
Afati për presidentin po afron, opozita ia mbyll dyert Vetëvendosjes
Ai shton se ka një disponim nga ndërkombëtarët që të jetë Thaçi udhëheqës i dialogut, pasi thirren në memorien e tij për shkak se ishte pjesë e këtij dialogu, edhe për shkak të homologut të tij serb. Në anën tjetër Haradinaj nuk iu ka pëlqyer për shkak të arrogancës. Sipas të gjitha gjasave Thaçi do të jetë udhëheqës i dialogut.
“Platforma duhet të rrjedhë nga Kuvendi. Kryeministri do të duhej t’i marrë përgjegjësitë e tij, prandaj nuk duhet t’i përshtatemi palës tjetër, serbe, në aspektin e zgjedhjes së personit që përfaqëson Kosovën. Kur je në një dialog secila provon të marrë më shumë, dhe ka filluar të krijohet edhe diskursi se duhet të japim më shumë. Dhe kjo është për asociacionin që kompetencat e Kosovës ndaj saj të jenë më të vogla. Por, Kosova nuk e ka shfrytëzuar kartën e saj që këtë ta kushtëzojë me njohjen nga Serbia dhe ulësen në OKB”, ka deklaruar Krasniqi.
Sipas Krasniqit procesi i dialogut nuk është menaxhuar aspak mirë, dhe kjo do të na kushtojë pasi do të jemi një palë e dëmtuar nga ky proces.
“Në shumicën e proceseve kur është kërkuar pjesëmarrja e shoqërisë civile, është manipuluar me këto. Pasi personat e caktuar janë kontrolluar nga partitë politike. Por, mendoj se do të duhej një pikë më tepër profesionale në mënyrë që të gjithë të japin kontributin që të kemi përfaqësim më të mirë. Këtë ekspertizë që ne e kemi jemi të gatshëm që ta ofrojmë”, është shprehur ai.
“Kuvendi nuk është duke funksionuar mirë në të dy legjislaturat e fundit, e as kryetari i saj nuk po angazhohet më shumë. Nuk dihet kur do të ketë seanca, deputetët marrin pushime, pra nuk ka asnjë rregull këtu”, shprehet ai.
Edhe
Krasniqi: Kriza politike është e qëllimshme, sulmet ndaj Kushtetueses të rrezikshme
Krasniqi ka deklaruar gjithashtu se, “ka deputetë që jetojnë në Prishtinë, e regjistrohen se vijnë nga një vend tjetër për të marrë mëditjet për shkak të rrugës. Ligjet kalojnë me procedura të përshpejtuara, e kjo është kritikuar edhe në raportin e BE-së. Më shumë ka një protagonizëm individual, nga deputetët me retorika populliste, e kjo e ka dëmtuar shumë Kuvendin”.
“Ka pasur një shkelje të qartë të kushtetues nga Presidenti, duke mos e zgjedhur kryetarin e KQZ-së. Dhe për këtë nuk ka pasur asnjë reagim prej partive opozitare, përveç Vetëvendosjes”, ka thënë Krasniqi.