Komisioni Qendror Zgjedhor ka miratuar plotësim-ndryshimin e Rregullores Zgjedhore sa i përket regjistrimit dhe votimit jashtë Kosovës.
Ndryshimi i parë ka të bëjnë mbi regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, ku tani e tutje duhet që regjistrimin ta bëjnë me fotografi në kohë reale përmes platformës së KQZ-së.
Ndryshimi tjetër ka të bëjë me dërgimin e fletëvotimit përmes postës te secili mërgimtar që regjistrohen për të votuar dhe jo shkarkimi i tyre përmes platformës elektronike.
Megjithëse këto ndryshime u thanë se përmbajnë kosto më të lartë buxhetore, u theksua se e njëjta do të rrisë integritetin e procesit zgjedhor.
Kjo rregullore do të vlejë edhe për zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare kurdo që ato do të mbahen, raportoi KSP.
Anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Arianit Elshani, ka thënë se nevoja e plotësim-ndryshimit të kësaj rregulloreje është ngritur si pasojë e dilemave në lidhje me integritetin e procesit zgjedhor jashtë vendit në zgjedhjet e fundit parlamentare.
“Duke marrë parasysh të gjitha dyshimet dhe dilemat e ngritura në lidhje me integritetin e procesit zgjedhor jashtë vendit, si anëtarë të KQZ-së kemi ardhur në konkluzione se kjo procedurë duhet të ndryshohet. Po flasim për procedurën e regjistrimit jashtë Kosovës dhe votimit të këtyre që regjistrohen si votues jashtë Kosovës. Një ka të bëjë me procesin e regjistrimit të votuesve jashtë vendit. Regjistrimi tash e tutje do të bëhet me fotografi me kohë reale. Asnjë qytetar nuk mund të ngarkojë një fotografi të bërë para 3-4 muajsh, por do të mundësohet përmes platformës që të bëhet në kohë reale bashkë me letërnjoftimin në dorë. Po ashtu një ndryshim tjetër është dërgimi i fletëvotimeve me postë të secili qytetarë që jeton jashtë Kosovës. Përmes shërbimit postar që do të kontraktohet nga KQZ-ja do të mundësohet që personi që regjistrohet për të votuar jashtë Kosovës do t’i shkojë fletëvotimi përkatës bashkë me zarfin kthyes kudo që jeton. Këto janë dy ndryshimet që janë bërë në kuadër të kësaj rregullore”, ka thënë ai.
Këtë rregullore e mirëpriti edhe anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, pavarësisht se kjo do të ketë një kosto më të lartë buxhetore.
“Këto ndryshime përveç përmirësime në procedura dhe transparencë të procesit nuk duhet harruar edhe koston. Në bazë të planifikimit, kostoja do të jetë më e lartë, kurse një kosto më e saktë që pastaj do të jetë subjekt i diskutimit do të ndodh më pasur”, ka shtuar ai.
Pavarësisht kostos së kësaj rregulloreje, nevojën e miratimit të saj e theksoi anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj.
“Është një bazë e mirë dhe e fortë që e rrit integritetin e procesit zgjedhor në tërësi dhe mbrojtjes së votës individuale të njerëzve që votojnë jashtë vendit. Kjo ndoshta do të sjellë një kosto më të lartë, por mendoj se nuk duhet të kemi diskrecionin që të kufizohemi nga kostoja në dëmtim të procesit zgjedhor”, ka deklaruar Nitaj.
Edhe anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Samiti Hamiti, tha se kjo rregullore do të rritë integritetin e procesit zgjedhor.
“Ka pasur dy qëllime. Një që askujt mos t’i hiqet e drejta për të votuar, por duke rritur integritetin”, tha ai.
Dilema për zbatimin e kësaj rregullore nga ana e sekretariatit të Komisionit Qendror Zgjedhor, ngriti kryetari i këtij institucioni Kreshnik Radoniqi, i cili edhe abstenoi në votimin e saj.
“Në raport me Sekretariatin, a keni diskutuar se sa do të mund të përgatiten me të gjitha këto procedura dhe ndryshime, në mënyrë që kjo procedurë të mos dështojë në fund. Ndryshimet e propozuara, përveçse janë të kushtueshme, aq edhe janë të realizueshme. E kuptoj ruajtjen e integritetit, po ashtu mënyrën sesi ka shkuar procesi i kaluar dhe kuptoj nevojën për ta ndryshuar (rregulloren). Por, ndryshimi i propozuar, a do të jetë i realizueshëm lehtë apo vështirë?”, ka thënë ai.
Besnik Buzhala nga Sekretariati i Komisionit Qendror Zgjedhor, tha se atyre iu mbetet implementimi i kësaj rregulloreje.
“Ne i kemi shprehur në takim dhe i mbetet Sekretariatit të bëjë përpjekje maksimale për të implementuar këtë rregullore në procesin zgjedhor”, ka theksuar Buzhala. /KSP