Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka filluar periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Periudha e aplikimit do të jetë 11-ditore, nga 26 nëntori deri më 6 dhjetor.
“Gjatë kësaj periudhe 11 ditore (26 nëntor – 6 dhjetor 2025), të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, përmes (1) platformës elektronike https://diaspora.kqz-ks.org ose përmes (2) postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë”, ka njoftuar KQZ.
KQZ-ja ka bërë të ditur se në momentin e aplikimit votuesit mund të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit: nëse duan të votojnë në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës; të dërgojnë fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë apo duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës.
“Në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për regjistrim për mënyrat e tjera të votimit përmes postës. KQZ sqaron se kjo periudhë e regjistrimit vlen vetëm për shtetasit që duan të regjistrohen për të votuar jashtë Kosovës, ndërkaq për të votuar në vendvotimin e tyre në Kosovë nuk kanë nevojë të regjistrohen si votues jashtë vendit. Shtetasit e Kosovës që regjistrohen për të votuar jashtë Kosovës, do të largohen nga Lista Votuese brenda Kosovës, e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve. Pra, një shtetas që regjistrohet për të votuar jashtë Kosovës, do ta gjejë emrin e tij për votim vetëm në Listën Votuese jashtë Kosovës”, ka njoftuar KQZ.
Ndërkohë, shtetasit e Kosovës, që jetojnë jashtë vendit dhe që nuk regjistrohen për të votuar nga jashtë Kosovës, ndodhen në Listën e Votuesve brenda Kosovës e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve.
“Çdo qytetarë i Kosovës me të drejtë vote, si brenda dhe jashtë vendit, përmes platformës elektronike: https://qv.kqz-ks.org mund ta kontrollojë adresën e Qendrës së Votimit ku është i caktuar të votojë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës, fillimisht duke u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe më vonë duke votuar”, ka njoftuar KQZ.
Votimi në përfaqësi diplomatike organizohet më 27 dhjetor. E votimi përmes postës do të fillojë më 12 dhjetor e përfundojë më 27 dhjetor.