Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar të premten ndaj gjuhës së përdorur ndaj këtij institucioni pasi vendosi që ta dërgojë te presidentja për dekretim emrin e Blerim Isufajt për pozitën e kryeprokurorit.
Që nga kjo përzgjedhje, reagimet kanë qenë të shumta. Shoqëria civile është shprehur e brengosur për propozimin e KPK-së, ndërsa ka thënë se ka gjetur shkelje të shumta dhe kërkonte kthimin e procesit në pikën zero. Reagime ka pasur edhe nga ndërkombëtarët, ndërsa s’kanë munguar komentet as të deputetëve. Një nga ta ishte deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, që e renditi zgjedhjen e Isufajt si një nga “dëshmitë që Kosova është ende shtet i kapur”. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, qe shprehur se reagimi i ndërkombëtarëve tregon se “në çfarë gjendje jemi”.
Ndërkaq në përgjigjen e së premtes, KPK-ja ka thënë se po sulmohet në mënyrën më të ulët.
“Këshilli i Prokurorial i Kosovës (KPK), gjatë ditëve të fundit, është duke u atakuar në mënyrën më të ulët nga përfaqësuesit politikë, përfshirë këtu edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, individë që kanë kaluar dhe janë duke kaluar nëpër procedura penale dhe nga grupet e interesit, ku, sipas tyre, Këshilli Prokurorial dhe bartësit e funksioneve prokuroriale janë ‘grup dhe kokë kriminale’”, ka thënë KPK-ja në reagim.
Sipas KPK-së, gjuha shpërfaq tendencat për rrënim të sistemit prokurorial.
“KPK-ja nuk do të tolerojë që të cenohet integriteti dhe reputacioni i anëtarëve të Këshillit Prokurorial dhe i bartësve të funksioneve prokuroriale. Këshilli Prokurorial i Kosovës, si institucion i pavarur kushtetues, ua bënë të qartë të gjithëve, përfshirë edhe përfaqësuesve politikë, se nuk do t’u bindet interesave politike dhe atyre të grupeve të interesit, pavarësisht tendencave të tyre”, përfundon reagimi i KPK-së.