Arbëri

Kosumi: Rreth 500 shtëpi të prekura nga vërshimet në Vushtrri

Bajrush Kosumi, drejtor për mbrojtje dhe shpëtim në komunën e Vushtrrisë, ka thënë se kjo komunë është prekur nga vërshimet në masë të madhe, teksa shton se prej dekadash nuk ka pasur vërshime të tilla.

“Komuna e Vushtrrisë është shumë e prekur nga vërshimet kemi pasë një pjesë e qytetit që është përmbytë. Prej viteve 79 nuk ka ndodhë vërshime si kësaj here. Janë të prekur së paku 500 shtëpi, pa përmendë edhe disa fshatra që janë prekur. Kemi dëme të konsiderueshme, ka me qindra hektarë tokë bujqësore ende në ujë, njerëz janë dalë nga shtëpitë, disa po përpiqen të kthehen por ende ka ujë”, tha ai.

Kosumi në DESKU të KTV-së tha se nuk ka pasur problem me strehim të qytetarëve, ndërsa thotë se edhe pse kanë ngritur dy pika strehuese, qytetarët që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, nuk kanë shkuar atje, por kanë zgjedhur të afërmit.

“Ka probleme me strehim, kemi reaguar, i kemi bërë dy pika për strehim. Nuk ka pasë nevojë që të evakuohen atje njerëz por kanë shkuar tek të afërmit e tyre”, tha ai.

Ai e sheh të pamundur që kësaj situate t’i dilej përballë, për shkak të nivelit të lartë të vërshimeve që kanë ndodhur.

“Në komunën tonë ka qenë e pamundur t’i dilet përballë këtij vërshimi që ka qenë. Ndoshta një parandalim ka mund të ndodhë por me këtë shi ka qenë e pamundur t’i dilet përpara”, ka thënë Kosumi.