Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova synon të zë afatin e aplikimit për t’u rikthyer në EQAR

U bë një muaj prej kur ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ftonte deputetët që sa më shpejtë të përzgjedhin anëtarët e bordit të Agjencisë së Akreditimit.

Por është vet Bytyqi ai i cili shumë vonë e ka dërguar listën në Qeverinë e Kosovës.

Tek të mërkurën, qeveria ka arritur që 9 anëtarëve të rinj të bordit t’ua japë dritën e gjelbër për t’u ratifikuar në Kuvend.

Ndërkaq, Kosova ka afat që deri më 28 maj që të riaplikojë për Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë – EQAR, nga i cili u përjashtua me datën 27 shkurt.

Në një përgjigje me shkrim për KTV-në, drejtori i EQAR-it ka thënë se riaplikimin mund ta bëjë vetëm bordi i AKA-së, i cili do t’u nënshtrohet disa kushteve.

“Agjencia Kosovare e Akreditimit do të duhej që t’i nënshtrohej shqyrtimit të jashtëm për të demonstruar se mund të operojë sërish në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje nga jashtë. Në veçanti, ne do të duhej të presim që korniza ligjore të garantojë që shkarkimi i Bordit të AKA-së nuk do të ndodhte më, pa rrethana të veçanta. Andaj rastin do ta diskutojmë kur AKA-ja do të ankohet ndaj vendimit ose do të aplikojë për ri-anëtarësim në EQAR”, ka thënë Colin Tück, drejtor i EQAR.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, në një përgjigje me shkrim, ka thënë se pret që emrat e Bordit të AKA-së të ratifikohen me procedurë të shpejtë në Kuvendin e Kosovës.

Anëtarët e miratuar nga qeveria, që presin miratimin e Kuvendit, janë: Vjollca Krasniqi, Arta Jakupi, Rozafa Koliqi-Lila, Magdalena Ziolo, Gazmend Luboteni, Herbert K. Amato, Xhavit Rexha, Jeffrey Butel dhe Dukagjin Zeka.

Më herët, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, pati propozuar disa emra për anëtarë të bordit të AKA-së, por pati shumë ankesa për ta, duke thënë se janë përzgjedhur njerëz të afërt me politikën.

Në mesin e anëtarëve, sërish është emri i Gazmend Lubotenit e Rozafa Koliqit, si dhe të 2 anëtarëve ndërkombëtarë Jeffrey Butel dhe Herbert K. Amato, që ministri i kishte propozuar më herët.

Artikuj të ngjashëm