Përfaqësues të Komisionit parlamentar për arsim po kërkojnë që me urgjencë të emërohet drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA).
Kjo meqë, muajin e ardhshëm, Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) vendosin për anëtarësinë e AKA-së në këto institucione. Mosemërimi deri tash i kësaj pozite, sipas deputetëve, mund të ndikojë negativisht në vlerësimin e ENQA-s dhe EQAR-it, shkruan sot “Koha Ditore”.
AKA-ja udhëhiqet me ushtrues detyre që nga viti 2015. Procedurat e konkursit për drejtor të këtij institucioni kanë përfunduar në tetor të vitit 2018, por që nga ajo kohë emërimi është bllokuar nga ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi.
MASHT-i nuk është përgjigjur përse është zvarritur kaq gjatë ky emërim dhe nëse ka gjasa që të plotësohet kjo pozitë ditëve në vijim. Ministria e Administratës Publike (MAP) ka konfirmuar se deri tash nuk ka marrë asnjë rekomandim nga ministri Bytyqi për kandidatin potencial për drejtor të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)