Arbëri

Kosova shkakton devijime në rrjetin interkonektiv, ZRRE-ja paralajmëron masa ndaj operatorëve

Në mungesë të rrymës së mjaftueshme për të mbuluar konsumin, Kosova ka shkaktuar devijime, në rrjeti interkonektiv evropian duke rrezikuar përjashtimin nga ENTSO. KOSTT-i thotë se kjo u bë shkaku i nominimeve të pamjaftueshme të energjisë elektrike nga KESCO. E në KESCO arsyetohen për vështirësi në sigurim të rrymës. Në Zyrën e Rregullatorit për Energji kanë paralajmëruar masa ndaj operatorëve të licencuar që shkaktuan devijime.

Kthimi i reduktimeve të energjisë elektrike gjatë së mërkurës është pasojë e rënies së blloqeve të KEK-ut si dhe dështimit të KESCO-s për të siguruar energjinë e mjaftueshme për mbulimin e konsumit.

Në mungesë të rrymës së kontraktuar, Kosova ka shkaktuar devijime, duke tërhequr energji nga rrjeti interkonektiv evropian dhe ka rrezikuar përjashtimin nga ENTSO.

“Si rezultat i nominimeve të pamjaftueshme të energjisë elektrike nga KESCO për mbulimin e nevojave të konsumit, më 13 dhe 14 janar 2026, Zona e Kontrollit e KOSTT-it është duke operuar me jo balanca të mëdha dhe të vazhdueshme, të cilat në orë të caktuara tejkalojnë mbi 200 MË... Këto devijime po ndikojnë negativisht në rrjetin interkonektiv evropian, rrisin ndjeshëm rrezikun për stabilitetin e sistemit dhe mund të sjellin pasoja serioze për KOSTT-in, përfshirë masa ndëshkuese dhe rrezikim të Marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E”, thuhet në njoftimin e KOSTT-it.

Në KESCO arsyetohen për mossigurim të mjaftueshëm me energji, duke thënë se kapacitetet ndërkufitare janë kufizuar dhe mungesën e kapaciteteve në bursën ALPEX.

“Për shkak të realitetit aktual të tregut dhe kufizimeve ndërkufitare, ku kufiri Kosovë–Serbi nuk është funksional në aspektin komercial, ndërsa kufijtë me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut kanë kapacitete të kufizuara që nuk mjaftojnë për të mbuluar të gjithë kërkesën e vendit, sigurimi i energjisë elektrike sipas nevojës reale mbetet i vështirë. Gjithashtu, duhet theksuar se tregu ALPEX, për shkak të likuiditetit të kufizuar në këto ditë me kërkesë të lartë, nuk ka ofruar sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike, duke e bërë të pamundur mbulimin e plotë të nevojave vetëm përmes këtij mekanizmi tregtar”, thuhet në njoftimin e KESCO-s

Por, sipas njohësit të çështjeve të energjisë, Adhurim Haxhimusa, KOSTT është përgjegjës për stabilitetin energjetik.

“Në rastin sikurse tani kur devijimi është dikun 380 megavat, atëherë vetëm 150 megavat mund të balancojë KOSTT-i ndërsa pjesën tjetër duhet sa më shpejt KESCO të sigurojë energjinë e importit, për të siguruar furnizim stabil me energji elektrike. Në rast se  KESCO ka vështirësi për të gjetur energji elektrike në kohën e duhur, atëherë KOSTT detyrohet të urdhërojë ndërprerjen e energjisë në regjione të caktuara, apo kohë të caktuara”, thekson Haxhimusa.

Ai thotë se KOSTT nuk duhet t’ia lejojë KESCO për të përdorë pozitën e saj për të vendosur atë në pozitë të palakmueshme në raport me ENSO.

E në Zyrën e Rregullatorit për Energji kanë paralajmëruar masa ndaj operatorëve të licencuar që shkaktuan devijime në rrjetin interkonektiv evropian, në përmasa të papara më parë.

Ajo ka kërkuar nga ata që të veprojnë në përputhje me obligimet ligjore që kanë.

“Për të parandaluar përshkallëzimin e devijimeve dhe ndikimin negativ në sistemin interkonektiv evropian, si dhe për të mbrojtur stabilitetin e Zonës së Kontrollit të Kosovës, KOSTT, në ushtrim të kompetencave të tij operative dhe në përputhje me Kodin e Balancimit, ka dhënë instruksione për kufizime të përkohshme të energjisë në disa zona të rrjetit. Këto masa kanë për qëllim menaxhimin e situatës dhe shmangien e pasojave serioze ndaj sistemit dhe obligimeve ndërkombëtare të Kosovës në kuadër të ENTSO-E. ZRRE është duke vlerësuar sjelljen e palëve të licencuara dhe në përputhje me rrethanat faktike, do të ndërmarrë të gjitha masat e parashikuara me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

Devijimet në rrjet e ekspozojnë Kosovën si vend problematik në raport me mekanizmat ndërkombëtar të energjisë.

Por, në orët e pasditës, KOSTT ka njoftuar se është krijuar stabiliteti energjetik, pas rritjes së prodhimit nga ana e KEK-ut.