Vendosja e taksës doganore prej 10 për qind për mallrat që importohen në Kosovë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, kryesisht është mirëpritur nga përfaqësuesit e bizneseve prodhuese dhe Oda Ekonomike e Kosovës.
Ndërkohë që reagime të ashpra kundër kësaj mase kishte në Beograd dhe në Bosnjë e Hercegovinë. Indiferentë në këtë aspekt nuk ishte as Bashkimi Evropian, duke ngritur shqetësime se po shkelet Marrëveshja për tregti të lirë, CEFTA.
CEFTA është një marrëveshje ndërkombëtare e krijuar nga ana e Bashkimit Evropian me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kosova është anëtare e këtij mekanizimi që nga viti 2007.
Flamur Keqa, ish-drejtor i Departamentit të Tregtisë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në vitin 2011, kur Kosova ka menaxhuar CEFTA -n, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka vepruar ashtu siç kanë vepruar edhe shtete tjera karshi saj.
“Realisht është bërë thuajse rutinë shkelja e marrëveshjes së CEFTA-s, kryesisht nga Serbia, e në këtë drejtim edhe Kosova ka të drejtë të mbrojë prodhimin e vetë, ekonominë e vetë. Në tërë këtë situatë, faj në Kosovë ka Qeveria, kanë bizneset por edhe vetë konsumatorët, pasi që secili prej tyre po kontribuon që mallrat nga Serbia të shiten dhe konsumohen në Kosovë në masë të madhe”, theksoi Keqa.