Arbëri

Kosova përgatitet për vaksinim masiv, angazhohen 420 infermierë shtesë

Autoritetet shtetërore kanë paralajmëruar se nga 15 qershori në Kosovë do të nisë vaksinimi masiv kundër COVID-19. Për këtë është përgatitur edhe Plani Shtetëror i Vaksinimit Masiv. Për t’u realizuar ky proces, komunat tashmë kanë bërë përgatitjet e nevojshme. Krahas përgatitjeve, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se do të ketë angazhim shtesë të 420 infermierëve.

Në Prishtinë procesi i imunizimit masiv do të vazhdojë në sallën “1 Tetori”. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), Rrezart Halili ka thënë se tanimë kanë bërë trajnimin e profesionistëve shëndetësorë dhe se i kanë dakorduar planet me MSH-në dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në mënyrë që ky proces të realizohet pa telashe.

“Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me MSH-në edhe IKSHPK-në i ka bashkërenduar të gjitha forcat e veta që më 15 qershor kur të fillojë vaksinimi masiv, të kryhet në mënyrën më të mirë. E dimë që edhe në MSH është hapur një konkurs për staf shtesë me qëllim që të mobilizohemi të gjithë dhe të ofrohet një shërbim cilësor… Një numër i madh i stafit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare janë trajnuar në këtë aspekt të ofrimit të shërbimeve për imunizimin për COVID-19”, u shpreh Halili.

Krahas kryeqytetit përgatitjet e nevojshme për fillim të procesit të vaksinimit masiv janë bërë edhe në komunën e Mitrovicës Jugore.

Mjekja Shefkate Sylejmani, shefe e sektorit të vaksinimit në Mitrovicë, ka thënë se me 12 ekipet sa i kanë në dispozicion do t’ia dalin. Sylejmani është shprehur se aktualisht janë të pajisur vetëm me vaksinën e “Pfizerit”.

“Jemi munduar maksimalisht që t’i bëjmë përgatitjet për startimin e vaksinimit në masë…Mendojmë se me 12 ekipe do t’ia dalim…Pjesën teknike veç̧ kemi arritur ta rregullojmë, vaksinimi bëhet këtu në Qendrën e Kulturës, ku ambienti është i përshtatshëm… Aktualisht kemi vaksina sa kemi kërkuar, do të thotë për pesë ditë… Zakonisht 200 (vaksina) marrim brenda një dite, do të thotë gjithsej 1 mijë vaksina, nuk marrim më tepër… Nga Ministria e Shëndetësisë jemi njoftuar që përmes platformës E– Kosova, prej moshës 18-vjeçare mund të aplikojnë të gjithë personat që kanë sëmundje kronike. Momentalisht kemi vaksinën e ‘Pfizerit’, të cilën më tepër po e preferojnë popullata”, u shpreh ajo.

Përgatitje të hapësirës, por edhe stafit për të nisur vaksinimi masiv ka bërë edhe Prizreni. Drejtoresha e Shëndetësisë në këtë komunë, Narqize Hoxhaj ka deklaruar se edhe kjo komunë tashmë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për këtë fazë të vaksinimit.

Ajo ka njoftuar se krahas 8 ekipeve mjekësore po planifikojnë të rrisin kapacitetet mjekësore deri në 18 njësi me qëllim që të ofrohen shërbime sa më të mira.

“Ne jemi të përgatitur për këtë vaksinim. I kemi ekipet e vaksinimit të cilat janë profesionistët e trajnuar dhe për momentin kemi 8 ekipe që janë duke e kryer vaksinimin dhe një ekip dhe katër infermierë. Planifikohet që në të ardhmen të bëhen 18 ekipe të vaksinimit, kështu që besoj që do të kryejmë me sukses sikurse deri tani….Vaksinimi është duke u kryer në Qendrën Sportive ‘Sezai Surroi’ dhe aty do vazhdojmë të kryhet vaksinimi tutje për këtë vaksinim masiv….besojmë që është mjaft hapësirë e madhe dhe i plotëson të gjitha kushtet dhe për momentin që është me hapësira më të mëdha për komunën e Prizrenit”, ka deklaruar ajo.

Për procesin e vaksinimit masiv, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se tashmë ka përfunduar konkursi për 422 infermiere shtesë.

“Në kuadër të Planit të Veprimit parashihet rritja e kapaciteteve në resurse humane, që nënkupton rritjen e ekipeve të vaksinimit nga 89 sa janë aktualisht në 279. Ka përfunduar konkursi për 422 infermierë shtesë, do të angazhohen edhe 190 specializantë në vaksinim, janë siguruar pajisjet e nevojshme mbrojtëse për stafin. Vaksina janë siguruar aktualisht dhe pritet ardhja edhe vaksinave të tjera, është ndërtuar Moduli i vaksinimit në Sistemin e Informimit Shëndetësor si dhe janë shtuar hapësirat e reja të vaksinimit në 30 komuna të Kosovës. Gjithashtu, janë kryer edhe përgatitje të tjera logjistike që procesi të nis javën tjetër”, thuhet ndër të tjerash në përgjigjen e MSH-së.

MSH-ja ka njoftuar se ashtu siç është paraparë në Planin Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19 me vaksinimin masiv krahas moshës mbi 65 vjeç dhe atyre me sëmundje kronike, planifikohet edhe vaksinimi i mësimdhënësve dhe shërbyesit e sigurisë.

Deri tani në Kosovë janë vaksinuar mbi 97 mijë qytetarë. Ndërsa, aktualisht Kosova është duke bërë shpërndarjen e vaksinave të llojit “Pfizer” dhe “AstraZeneca” të pranuara donacion nga COVAX-i dhe Bashkimi Evropian.

Qeveria ka njoftuar se ka blerë edhe 1.2 milionë vaksina “Pfizer” që do të vijnë deri në fund të vitit.

Pas rënies së rasteve të reja, në Kosovë aktualisht janë rreth 630 raste aktive me COVID-19. /(KosovaPress)