Arbëri

Kosova nuk po i trajton rreth 200 prona të saj jashtë shtetit

Njohës të ekonomisë thonë se përveç diplomacisë politike, edhe diplomacia ekonomike së bashku me Agjencinë Kosovare të Privatizimit(AKP) do të duhej t’i trajtojë pasuritë e Kosovës që gjenden jashtë vendit dhe t’i kthehen ekonomisë së Kosovës, respektivisht shtetit të Kosovës.

Ndërmarrje shoqërore jashtë vendit të cilat kanë mbetur ende të pa trajtuara nga autoritetet e Kosovës janë rreth 179, prej tyre mbi 110 sosh janë vetëm në Serbi. Asete të pa shitura të Ndërmarrjeve Shoqërore përveç Trepçës, jashtë Kosovës janë 162 ndërmarrje, prej tyre 99 ndërmarrje të Kosovës figurojnë në Serbi, 35 në Malin e Zi, 35 në Bosnje dhe Hercegovinë, shtatë në Maqedoni, pesë në Kroaci dhe një në Slloveni.

Kurse, vetëm asete të ndërmarrjes Trepça jashtë Kosovës janë 17, prej tyre 11 në Serbi, 3 në Kroaci dhe 3 në Bosnje e Hercegovinë.

Profesori në Fakultetin Ekonomik në UP, Nagip Skenderi thotë për KosovaPress se Serbia ka dëmtuar Kosovën edhe në aspektin ekonomik, duke ia grabitur pronat kosovare ekonomike, sidomos ato që janë jashtë vendit.

Ai thotë se Kosova në periudhën e ish-Jugosllavisë ka dhënë rezultate të dukshme sidomos përmes disa subjekteve ekonomike që kanë qenë të forta si Trepça dhe disa kombinate të tjera, prandaj, ato duhet trajtuar dhe t’i kthehen shtetit të Kosovës si pasuri të saj.

“Në kuadër të diplomacisë politike ekziston edhe diplomacia ekonomike me të cilën shteti i Kosovës ishte dashur me bashkësinë ndërkombëtare t’i trajtoj pasuritë e veta si njërin nga pasuritë të cilat janë rezultat i punës së faktorëve të ekonomisë së Kosovës qoftë në aspektin e pasurive natyrore respektivisht shtetërore dhe kështu këto asete duhet t’i kthehen ekonomisë së Kosovës respektivisht shtetit të Kosovës. Megjithatë Agjencia Kosovare e Privatizimit me iniciativën e vet dhe me ligjet e miratuara në kuvend duhet të kontribuojë që të gjitha këto prona ti kthehen shtetit të Kosovës dhe kjo e drejtë do të duhej të realizohet pse jo të hyn edhe në bisedimet e Brukselit midis Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë për ndarjen në mënyrë të drejtë dhe proporcionale për aq sa i takon Kosovës”, theksoi Skenderi.

Kryetari i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Petrit Gashi, nuk ishte në gjendje të flas shumë për këtë temë, përveç që ka theksuar se Kosova prej aseteve shtetërore të pa privatizuara jashtë vendit ka më së shumti në Serbi.

Gashi theksoi se kanë krijuar një Komision të veçantë për trajtimin e pasurive të Kosovës jashtë vendit, i cili do të jetë në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme. Kjo lë të kuptohet se ende nuk ka rezultate në këtë drejtim.

“Ne kemi bërë avancime edhe në këtë drejtim. Kemi krijuar edhe një Komision të veçantë që merret me këto prona, i cili do të jetë në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Punëve të Jashtme në mënyrë që t’i trajtojmë këto asete”, theksoi Gashi.

Ndërsa, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, edhe pse janë kontaktuar nga KosovaPress, nuk janë prononcuar për këtë temë.

Profesori Nagip Skenderi ka shprehur idenë për shfrytëzimin e këtyre pronave jashtë vendit të paktën për vendosje të ambasadave kosovare, sepse Kosova vetëm në Bruksel ka pronë të veten për ambasadë, ndërsa në të gjitha shtetet tjera për shfrytëzimin e objekteve të ambasadave paguhen qira, e cila sipas tij, është bukur e lartë.