Kosova është shteti me pothuajse numrin më të vogël të mjekëve anesteziologë në të gjithë Evropën. KOHA ka analizuar numrin e mjekëve të këtij profili në shumë shtete. Për 100 mijë banorë, Kosova i ka vetëm 6.5 mjekë, por për shkak që nuk ka sigurime shëndetësore dhe shteti nuk mund të llogaritë në shërbimet e mjekëve që punojnë në privat, atëherë i bie që Kosova ka vetëm 5 anesteziologë për çdo 100 mijë banorë. Të gjitha shtet fqinje kanë dyfishin e këtij numri. E, Amerika, vendi ku ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka punuar si mjek për dekada, ka katërfishin e numrit të anesteziologëve të Kosovës për 100 mijë banorë. Shtetet skandinave qëndrojnë më së miri në botë sa u përket këtyre statistikave. Për çdo 100 mijë banorë kanë deri në 33 anesteziologë
Kosova është vendi pothuajse më i varfër në Evropë për kah numri i mjekëve anesteziologë. Mungesa e tyre e bën kampione edhe në nivelin global. E, më keq se Kosova është India.
Këto të dhëna dalin nëse merren për bazë të dhënat e Hartës së Fuqisë Punëtore në Anesteziologjinë Globale.
Në këtë faqe nuk ka të dhëna për Kosovën. Por kur krahasohen shifrat e Kosovës me shifrat e shteteve që janë të përfshira, vërehet gjendja e keqe në të cilën qëndron Kosova.
Kosova ka 118 anesteziologë në sistemin publik e privat. Me 1 milion e 800 mijë banorë, i bie që ka 6.5 anesteziologë për 100 mijë banorë. Por kjo shifër nuk mund të konsiderohet e saktë në raport me nevojat e qytetarëve. Kjo për shkak që në Kosovë nuk ka sigurime shëndetësore, e që nënkupton që të gjithë qytetarët kanë qasje të sigurt vetëm te 90 anesteziologë në të gjithë Kosovën sa punojnë në publik. Publiku ka në dispozicion vetëm 5 anesteziologë për 100 mijë banorë.
Gati dyfish më mirë se Kosova qëndron Shqipëria. Nga të dhënat e Hartës së Fuqisë Punëtore në Anesteziologjinë Globale, Shqipëria del që ka 8.97 anesteziologë për 100 mijë banorë.
Përafërsisht në të njëjtin nivel me Shqipërinë qëndron edhe Maqedonia. Statistikat në këtë faqe thonë që në këtë shtetet për çdo 100 mijë banorë janë 9.91 anesteziologë.
Serbia qëndron pak më mirë së këto dy shtete. Për çdo 100 mijë banorë ka nga 10.73 anesteziologë.
Mali i Zi qëndron më së miri në rajon. Në këto të dhëna thuhet që ky shtet për çdo 100 mijë banorë ka nga 12.94 anesteziologë.
Pak më mirë se Kosova qëndron edhe Bosnjë-Hercegovina. Ky shtet ka 6 anesteziologë për 100 mijë banorë.
Shumë më mirë se të gjitha këto shtete qëndron Kroacia. Ky shtet ka 20 anesteziologë, për 100 mijë banorë.
KOHA ka raportuar për ikjen e anesteziologëve nga sistemi publik. Vetëm këtë vit, deri të premten, janë larguar 10 anesteziologë e janë paralajmëruar edhe largime të tjera.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, deri tani publikisht nuk e ka adresuar këtë çështje.
Amerika - vendi ku Latifi ka punuar me dekada si kirurg - ka gati 21 anesteziologë për çdo 100 mijë banorë.
Shtetet skandinave qëndrojnë më së miri me numrin e anesteziologëve. Norvegjia ka 25.5 për 100 mijë banorë e Danimarka 33.
Shërbimi i Anesteziologjisë konsiderohet shërbimi kyç i një qendre spitalore. Kjo për shkak se një pjesë e madhe e ndërhyrjeve bëhet me dhe nën mbikëqyrjen e anesteziologëve.