Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova largohet nga lista e shteteve më të sigurta për investim, me të cilën u lavdërua Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka promovuar të enjten rangimin e bërë nga një kompani private e që e ka prezantuar Kosovën në mesin e shteteve më të sigurta në botë për të investuar. Por, një ditë më vonë, emri i shtetit është larguar nga lista. Kompania që e ka bërë ranglistën nuk ka dhënë sqarime për këtë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është krenuar me indeksimin që kompania private “Henley & Partners”, ia ka bërë Kosovës, duke e prezantuar në mesin e shteteve më të sigurta në botë për të investuar.

Në Indeksin Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve, të publikuar të enjten, Kosova është ranguar në vendin e 26-të nga 225 shtete, duke i lënë pas Francën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Japoninë. Por, të premten, emri i Kosovës nuk ka figuruar në listë. Ai është larguar bashkë me një numër shtetesh të vogla në territor.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në kompaninë që e ka përpublikuar ranglistën nuk i janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me këtë, e as për metodologjinë dhe indikatorët që përdori për llogari të rangimit.

Me entuziazmin e kryeministrit nuk kanë folur për rangimin oponentët e tij politikë dhe as përfaqësues të bizneseve.

Lulzim Rafuna, kryetari i Odës Ekonomike (OEK), ka thënë se Kosova nuk qëndron mirë sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja.

“Kosova është duke vuajtur për investime të huaja kualitative. Vetëm ato investime që rrisin prodhimin, nivelin e zhvillimit ekonomik dhe të mirëqenies së qytetarëve. Nëse i shohim të dhënat sot që janë publikuar nga ASK-ja e shohim që 12 e pak mbulohet bilanci tregtar mes importit dhe eksportit. Kjo është rezultati që më së miri tregon sa kemi investime dhe sa është e sigurt Kosova për të ardhur dhe investuar në vendin tonë”, ka theksuar ai.

E deputetja e Lidhjes Demokratike (LDK), Hykmete Bajrami, ka ironizuar me Kurtin.

“Në kohën në të cilën jetojmë edhe organizata të tilla mund të gjenden, por indeksimi nuk e ndryshon realitetin ekonomik”, ka shkruar ajo në Facebook.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore, nga janari e deri në qershor investimet e huaja direkte kanë qenë në vlerë 441.3 milionë euro, që shënon rritje prej 5.3 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024. Ato janë kryesisht investime në paluajtshmëri, të bëra nga diaspora.

Kryetar i Odës Ekonomike ka numëruar disa nga faktorët, për të cilët ka thënë se e bëjnë Kosovën vend të papërshtatshëm për investim.

“Sfida e parë është mungesa e fuqisë punëtore, e dyta është që as kjo fuqi që kemi nuk është e përgatitur me kërkesat e tregut, pse nuk është bërë nga ana e institucioneve reforma në sistemin e arsimit, shto këtu edhe pezullimin e dialogut strategjik me SHBA-të, me një fjalë imazhit që nuk e kemi të ndërtuar të mirë dhe të gjitha këto kanë qenë pengesë për mosardhjen e investimeve të huaja në Kosovë”, ka thënë Rafuna.

E kryeministri Kurti ka theksuar se, pavarësisht krizave globale dhe sfidave të shumta nga faktorë të jashtëm, Kosova vazhdon të forcohet, të ofrojë kushte më të mira për zhvillim socio-ekonomik dhe investime të sigurta.