Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova kërkon përkrahje në takimin e ministrave të Energjisë në Berlin

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka kërkuar përkrahje financiare për Kosovën në takimin e ministrave të Energjisë të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.

Përmes një komunikate për media, të martën, bëhet e ditur se gjatë takimit, Rizvanolli ka ngritur çështjet e nevojat kritike për Kosovën për t’u përballur me krizën energjetike evropiane.

“Përballja me këtë krizë ka rëndësi përtej mbrojtjes së klimës e ambientit, e është çështje e sigurisë. Prandaj, hapat që duhet ndërmarrim për t’u përballur me këtë krizë shtrihen përtej kufijve”, ka thënë ajo.

Për të minimizuar ndikimin e krizës evropiane te qytetarët e Kosovës, Rizvanolli ka ritheksuar nevojën për fonde domethënëse nga Gjermania e Bashkimi Evropian, si dhe ka kërkuar mbështetje e kontribut direkt në zgjerim të masave për efiçiencë të energjisë në sektorin e banimit, ngrohje qendrore, si dhe kapacitete të reja gjeneruese të burimeve të ripërtëritshme.