Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova kërkon gjykatë speciale edhe për Serbinë

Dardan Gashi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Diasporës, tani edhe përfaqësues në Delegacionin Shtetëror në bisedime me Serbinë, në Interaktiv të KTV-së, foli për takimin e parë që u zhvillua në Bruksel me Federica Mogherinin.

Ai ka bërë të ditur se ekipi negociator i Kosovës po kërkon gjykatë speciale edhe për Serbinë.

“Takimi ka qenë shumë i mirë dhe përmbajtësor. Ka zgjatë mbi një orë. Kemi folur edhe për temat që tani nuk janë ngritur fare në bisedimet teknike. Kemi hasur në mirëkuptim, mbetet e hapur kur do të shkojmë përsëri në bisedime”, tha ai.

Gashi tha se temat që kanë ngritur nga ky delegacion, e që s’janë ngritur më parë, janë krimet e luftës e çështja e të pagjeturve.

“Nuk është më dialog teknik, është dialog politik kjo duhet të përfundojë me marrëveshje politike. Duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellët. Çështje parimore do të jetë ajo e të pagjeturve”, tha Gashi.

Ai tha se Serbia ka informata se kush ka kryer krime, e tani do Delegacioni Shtetëror do të futet në tema më të thella. “Ne jemi të vendosur të kërkojmë drejtësi për krimet e luftës”, tha ai. Duke shtuar se delegacioni do të kërkojë të formohet një gjykatë ndërkombëtare që merret me këto krime.

Gashi tha se temën e krimeve të luftës, e kanë prezantuar në Bruksel dhe nuk kanë hasur në hezitim por vetëm mirëkuptim. “Temat e krimeve të luftës e të pagjeturve, për ne janë esenciale”, tha tutje.

Se s’do të ketë dialog pa u hequr taksa ndaj Serbisë, kërkesë nga BE-ja, Gashi tha se taksën e kanë vendosur për shkak të agresivitetit të Beogradit ndaj Kosovës.

“Neve na është dashur si qeveri të reagojmë e të tregojmë se jemi shtet serioz”, tha ai.


Gashi: Nuk e kontrolloj Teuta Rugovën

Dardan Gashi, që është pjesë e Delegacionit Shtetëror në bisedime me Serbinë, në Interaktiv foli për mosprezencën e grave në këtë Ekip dhe kritikat se është numër i madh. Por, tha se secili prej individëve përfaqësojnë Qeverinë e Kosovës.

“Unë e përfaqësoj vetëm Qeverinë e Kosovës në këtë Ekip ashtu siç përfaqësoj edhe në gjëra tjera”, tha ai.

Ka thënë se kanë kërkuar që të ketë edhe nga opozita përfaqësues porse ata nuk kanë pranuar.

Ka folur për deklaratat e Fatmir Limajt, i cili në Rubikon, tha se Gashi e përfaqëson Teuta Rugovën.

“Jam i afërt me familjen Rugova dhe me Nuk do të thotë që përfaqësoj ndonjë individë në Qeveri”, tha ai.

Ai tutje, tha se nuk e kontrollon Teuta Rugovën.

Por, Dardan Gashi, gjithashtu, pranoi se është pjesë e kësaj Qeverie falë votës së Teuta Rugovës nga LDK-ja.


Dardan Gashi, duke folur për punën si ministër, tha se si ministër i Diasporës i ka 6 këshilltarë dhe 3 të jashtëm pa pagesë, e tha, se nuk ka asnjë zëvendës të tij si zëvendëskryeministër.

Gashi, tutje tha se Blerim Shala, mori pjesë në Delegacion sepse ishte kërkesë e të gjithëve. Ai sipas Gashit, do të shoh se si po shkojnë bisedimet e do të konsultohen se çka të bisedojnë tutje.

“Ne dokumentet realisht nuk i kemi kërkuar, ka qenë propozim i Thaçit”, tha ai, duke shtuar se presidenti nuk është në Kosovë e nuk e dijnë kur do t’i marrin dokumentet prej tij.

Gashi tha se nuk e di ku është presidenti, madje, as Qeveria s’e di.

Tha gjithashtu se nuk kanë asnjë konflikt me të për bisedimet me Serbinë.

Zëvendëskryeministri Gashi ka përsëritur akuzat për LDK-në, duke thënë se kjo parti është bërë e njëjtë si Vetëvendosje. Sipas tij, është e papranueshme që një parti si LDK-ja të refuzojë pjesëmarrjen në dialog.

“Pse LDK merr pozicione që janë më shumë të VV-së, që apriori ka refuzuar që nga Rambujeja, kur Kurti ishte kundër, edhe kundër Ahtisaarit e çdo veprimi të dialogut, edhe të shtetësisë së Kosovës në një fazë të caktuar. Pse LDK të jetë pjesë e kësaj loje? Të bojkotohet kuvendi kur e shohin se s’ka numra, dhe bashkë me VV-në e lëshojnë sallën”, ka thënë ai, duke shtuar se e “pranon që Mustafa mund të ketë inat me Veselin për prishjen e koalicionit”, por ka shtuar se kjo s’duhet të jetë peng për veprimet tjera.

Duke folur për negocimin me PSD-në lidhur me kërkesat e kësaj partie, Gashi ka thënë se qeveria është e gatshme të respektojë Ligjin e Qeverisë që kërkon reduktim për gjysmë të numrit të zëvendësministrave.

Ka thënë po ashtu se ka pas gatishmëri nga koalicioni qeverisës që të caktohet data e zgjedhjeve, në mënyrë që LDK-ja të marrë pjesë në dialog. “Pas dialogut, pas marrëveshjes, do të hynim në zgjedhje”.


“Ekspertiza ka vërtetuar se armët me të cilat gjuajtëm ishin me gaz”

Pas një kohe të gjatë, Gashi ka folur edhe për procesin gjyqësor ndaj tij për gjuajtjen me armë në odën e Fatmir Limajt. Ka thënë se ekspertiza ka vërtetuar se ka gjuajtur me armë me gaz.

“Është gjuajtur me armë me gaz. Kur të na thërret gjykata, do të paraqitemi”, ka thënë ai duke përsëritur se ekspertiza ka vërtetuar se të gjitha armët e përdorura në këtë aheng, ishin me gaz.

“Ka qenë aheng privat, ku ka qenë gëzim i familjes për një procedurë që dikush është ballafaquar për tetë vite, që rezultuan të padrejta. U lirua dhe ka ndodh një gjuajtje për gëzim. Por mund ta përsëris, nuk është ankuar askush, as s’është lënduar dikush. Është incizuar e tash po del si krimi i shekullit. E kuptoj se njerëzit mund të jenë të shqetësuar. Arma ishte me gaz. Të gjitha armët janë të deponuara në polici. Forenzika i ka në dispozicion”, ka thënë Gashi.

Në fund Gashi ka shtuar se do të pranojë vendimin e Gjykatës, çfarëdo qoftë ai.

Artikuj të ngjashëm