Arbëri

Gashi: Kosova ta çojë Asociacionin në Kushtetuese, të mos akuzohet si frenuese e dialogut

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashi, ka deklaruar se Kosova duhet të lëvizë me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke e dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

I ftuar të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Gashi ka thënë se palës kosovare nuk i konvenon që të akuzohet si frenuese e dialogut me Serbinë.

“Na është kërkuar që të lëvizet me Asociacionin, që të lëvizet me një draft që ka ardhur nga Brukseli. Kosova duhet të lëvizë me çështjen e Asociacionit vetëm për ta dërguar te Gjykata Kushtetuese. Nëse çdo gjë është në rregull, atëherë kjo kërkesë që po e mban peng lëvizjen drejt zbatimit të pikave tjera të marrëveshjes, do të duhej lëvizur nëse është gjithçka në rregull në aspektin kushtetues. Status-quoja duke e bartur një pjesë të fajit pse nuk po lëvizet në dialog nuk i konvenon Kosovës”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se pala serbe është e gatshme të shkojë drejt zbatimit selektiv të marrëveshjes, duke i zbatuar vetëm pikat që i konvenojnë asaj, për çka Kosova duhet të jetë më konstruktive.

“Ne nuk duhet të presim shumë që dialogu do ta ruajë dinamikën e vet, por mendoj që pala kosovare duhet të jetë më konstruktive në këtë pjesë, së paku për aq sa të mos akuzohet që pala kosovare po e frenon procesin e dialogut”, është shprehur ai.

Derisa ka folur për çështjen e dinarit, Gashi ka thënë se Kosova duhet të negociojë vetëm dinamikën e implementimit të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.

“Do të duhej të kishte lëvizje të vogla në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje, meqë nuk ka kërkesa nga komuniteti ndërkombëtar për të hequr dorë nga Rregullorja. Do të duhej të kishte një lëvizje të vogël të palës së Kosovës. Nuk mendoj që humb shumë Kosova nëse lë pak kohë për aq sa e kërkojnë në këtë rast ndërmjetësit amerikanë dhe do të duhej të kishte një zgjidhje që nuk e cenon Rregulloren dhe vendimin e Qeverisë, por vetëm kërkon si është modaliteti i zbatimit më të pranueshëm për të dy palët. Mendoj se kanë qenë mjaft të qartë se vendimi nuk është kontestuar nga ndërkombëtarët, por vetëm shpejtësia apo dinamika e zbatimit të këtij vendimi. Mendoj që krejt çka këtu Kosova mund të negociojë është dinamikën e implementimit apo modalitetit”, ka theksuar ai.