Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova e Turqia të gatshme për zgjerim të marrëdhënieve në vitin 2024

Kosova dhe Turqia janë shprehur të gatshme për thellim dhe zgjerim të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe në vitin 2024, në një takim mes kryeministrit Albin Kurti dhe ambasadorit turk në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.

“Me urimet e dyanshme për Vitin e Ri 2024, takimin e parë për këtë vit, kryeministri Kurti dhe ambasadori Angılı e filluan duke reflektuar mbi bashkëpunimin përgjatë vitit 2023, sidomos në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe ekonomisë, dhe e vazhduan me planet dhe synimet e partneritetit ndërmjet dy shteteve për vitin në të cilin sapo kemi hyrë. Ambasadori Angılı e uroi kryeministrin dhe popullin e Kosovës për liberalizimin e vizave që hyri në fuqi me 1 janar”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Kurti, sipas njoftimit, e falënderoi për urimin dhe shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj shtetit dhe popullit të Kosovës, “dhe gatishmërinë e vullnetin për thellim dhe zgjerim të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe Kosovë-Turqi”.