Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova e Sllovenia me mundësi të gjera bashkëpunimi në fushën digjitalizimit

Në kuadër të vizitës zyrtare në Slloveni, ministri i Inovacionit Besim Beqaj ka takuar sot ministrin Administratës Publike të Sllovenisë, Rudi Medved.

Sipas njoftimit për media, ata biseduan për mundësitë e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Sllovenisë në fushën e digjitalizimit të administratës dhe ekonomisë, si dhe të bashkëpunimi në ndërtimin e kapaciteteve të prodhuesve kosovarë për të qenë partnerë dhe konkurrues në tregjet ndërkombëtare përmes qasjes së përbashkët në hulumtim, ndërmarrësi inovative, ndërkombëtarizim të ekonomisë.

“Sllovenia është një nga shtetet lidere në Evropë për inovacion dhe digjitalizim, fakt ky shumë i rëndësishëm për të përfituar nga ekspertiza dhe përvojat më të mira sllovene”, ka thënë me këtë rast Beqaj.

Ai po ashtu ka thënë se marrëdhëniet e shkëlqyera ndërshtetërore do të forcohen me vazhdim të bashkëpunimit të fuqishëm në fushën e digjitalizimit të administratës shtetërore dhe ekonomisë, ngritjen e kapaciteteve njerëzore, qasjen e përbashkët në tregjet e treta dhe asistencë profesionale teknike në përfitimin nga programet e financimit të BE-së.

Gjatë qëndrimit në Slloveni, Beqaj do të ketë takime edhe me udhëheqësit e Tech Parkut të Lubjanës dhe me drejtuesit e Odës Ekonomike dhe të Industrisë së Sllovenisë, me qëllim të marrjes së ekspertizës sllovene në funksionimin e qendrave të inovacionit, si dhe bashkëpunimi në ndërtimin e kapaciteteve të prodhuesve kosovar për të qenë partner dhe konkurrues në tregjet ndërkombëtare, thekson njoftimi.