Deklarimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që krahasonte Kosovën me situatën në Nagorno-Karabakh dhe se “konflikti i ngrirë” mund të përshkallëzojë në katastrofë, nga Kosova po shihet si kërcënim për luftë.
Të enjten, Vuçiq u shpreh në një konferencë për media se zgjidhja më e mirë është ajo përmes dialogut dhe duhet të arrihet sa më herët “sesa vonë e të ndodhë ndonjë konflikt”.
Në kundërpërgjigjen e saj, Qeveria e Kosovës ka thënë se këto deklarata s’janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe arritjes së marrëveshjes përfundimtare.
“Kryeministri Hoti thekson se ky deklarim është në kundërshtim me të gjitha zotimet që Serbia i ka bërë, nën garancat e faktorit ndërkombëtarë, për paqen e qëndrueshme dhe zhvillimin ekonomik të rajonit. Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të mbetet e përkushtuar në rolin e saj konstruktiv në të mirë të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të gjithë rajonit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës që ka shtuar se pret nga Bashkimi Evropian dhe NATO-ja të reagojë ndaj këtyre provokimeve.
“Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdoj angazhimin për anëtarësim sa më të shpejtë të vendit në NATO, Bashkimin Evropian dhe të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare, si një vlerë e shtuar për zhvillimin e demokracisë dhe paqes në botë”, përfundon reagimi i Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.
Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka thënë se Kosova fillimisht duhet të anëtarësohet në NATO e më pas të vazhdojë dialogun me Serbinë.
“Reagimi dhe krahasimet e qëllimshme të Vuçiqit tregojnë qartazi qëllimin për destabilizim dhe krijimin e tensioneve të reja në rajonin e Ballkanit. Dihet botërisht pjesëmarrja e forcave të rregullta ushtarake serbe (përfshirë snajperistë) në Bjellorusi. Ushtarët e Serbisë janë parë të përfshirë aktivisht edhe në konfliktin në Ukrainë dhe është raportuar ndërkombëtarësh për përdorimin e armatimit serb në konfliktin Azerbajxhan-Armeni. Është evidente dhe e qartë se pas imponimit të Rusisë në luftimet e rajonit të Nagorno-Karabakh, dhe paraqitjes së saj si ‘ndërmjetësuese’ për zgjidhjen e këtij konflikti nën sistemin ‘përçaj dhe sundo’, Rusia dhe Serbia si furnizueset kryesore me armë në këtë konflikt të armatosur po tentojnë të tërheqin paralele të tillë me qëllim të arsyetimit të militarizimit dhe armatimin e ushtrisë së saj me armatim jokompatibil me NATO. Të gjitha përpjekjet ruso-serbe për të minuar stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon janë të papranueshme për Kosovën, në kundërshtim me vlerat evropiane e universale, dhe do të dështojnë ashtu siç kapitulluan turpshëm në Kosovë vitin 1999”, thuhet në reagimin e MPJD-së.
Kryeparlamentarja dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, po ashtu ka kërkuar që BE-ja dhe NATO-ja të reagojnë ndaj “kërcënimit për luftë”.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka quajtur deklarimin e Vuçiqit si “dëshminë më të qartë se mentaliteti fashist i Millosheviqit është restauruar plotësisht në doktrinën e Aleksandar Vuçiqit”.
“Përgjigjen për një mentalitet të tillë Serbia e ka marrë nga UÇK dhe NATO më 1999. Por, mosndëshkimi i krimit dhe kriminelëve në Serbi, të cilët nxitën luftë e masakra në katër shtete, siç duket i ka trimëruar ata - aq sa të kërkojnë luftë dhe masakra të reja. Bashkësia Ndërkombëtare, me theks tek OKB-ja, Bashkimi Evropian, NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të reagojë urgjentisht ndaj kësaj gjuhe të kërcënimit. Ky kërcënim duhet marrë seriozisht, sepse Aleksandri sot nuk është më thjesht shërbyes i birrave në një regjim fashist, por president i vendit që po e rikthen atë doktrinë luftënxitëse. Në Evropën e bashkuar, për të cilën jemi angazhuar e kemi besuar, nuk mund të ketë vend për një shtet që aspiron luftë ndaj fqinjëve të vet”, ka shkruar ai në Facebook.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, për KP-në ka thënë se është kohë e fundit që BE-ja të ndërmarrë masa ndaj “regjimit aktual në Beograd”. Ai ka thënë se këta njerëz nuk përgjigjen për krimet që kanë kryer gjatë luftës, Serbia do jetë gjithnjë luftënxitëse e kërcënuese për rajonin.