Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova e Kroacia diskutojnë për bashkëpunim për procesin e integrimit në BE

Zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Lirak Çelaj, ka takuar ndihmësministrin e Kroacisë për Punë të Jashtme dhe Çështje Evropiane, Miroslav Papa, me të cilin kanë diskutuar për mundësitë për bashkëpunim përgjatë procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Sipas njoftimit nga MIE, Çelaj ka vlerësuar se rruga e vetme për të ardhmen është integrimi evropian.

“Ne vlerësojmë se rruga e vetme për të ardhmen tonë të sigurt, është integrimi evropian. Ne jemi të angazhuar që plani për zgjerim të BE-së, në gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor të arrihet sa më parë. Ne kemi dëshmuar gatishmërinë tonë që të gjitha obligimet ndërkombëtare do t’i zbatojmë, po ashtu, do të kontribuojmë në paqen rajonale”, potencoi Çelaj, duke shtuar se rajoni duhet të marrë vëmendjen e duhur nga BE-ja.

Sipas njoftimit, Çelaj ka thënë se Kosova pret përkrahje gjatë vlerësimit të procesit jo vetëm për liberalizim, por edhe për të arriturat tjera. Ai shtoi se Kosova e çmon përkrahjen nga Kroacia rreth proceseve integruese euroatlantike.

Në anën tjetër, sipas njoftimit nga ministria, Papa që është përgjegjës për vendet kandidate në BE të kësaj ministrie, ka vlerësuar të arriturat e Kosovës e ka potencuar se Kroacia do të vazhdojë mbështetjen ndaj Kosovës drejt integrimit evropian. “Po ashtu, ai ofroi përkrahjen e ekspertëve për këtë proces dhe përvojat e këtij vendi mik të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në fund të njoftimit është theksuar se në takim është vlerësuar se marrëdhëniet ndërshtetërore janë të shkëlqyera. “Nëpërmjet proceseve integruese, ato do të fuqizohen edhe më tej, duke këmbyer përvoja nga procesi si dhe përkrahje të gjithanshme për Kosovën nga Kroacia edhe pranë institucioneve ndërkombëtare”.

Artikuj të ngjashëm