Kosova do të udhëheqë dy komisione gjatë kryesimit të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore nga Turqia (2020-2021), përkatësisht Komisionin për Zhvillim Social, Arsim, Kërkim dhe Shkencë dhe Komisionin e Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji. Ky vendim është marrë në përmbylljen e punimeve të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), e cila këtë vit është kryesuar nga Kosova.
Gjatë kësaj asambleje është bërë e ditur se Kosova do të fillojë përgatitjet e aplikimit që Sekretariati i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore të vendoset në Prishtinë. Kjo do të nënkuptonte që Kosova për herë të parë të jetë selia e një organizate ndërkombëtare me influencë, shkruan KOHA Ditore.
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, që ka udhëhequr punimet online të sesionit plenar të SECP-së, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk ka arritur të realizojë ende premtimin e vet për t’ia dhënë popullit të Kosovës liberalizimin e vizave. Ajo ka theksuar se BE-ja duhet të mbajë këtë premtim, pasi, siç ka thënë, 2 milionë kosovarë kanë mbetur larg nga pjesa tjetër e Evropës.
Ajo ka folur edhe për pandeminë, që, siç ka thënë, ka shkatërruar dinamikën ekonomike dhe ka ulur ashpër furnizimin. Për këtë ajo theksoi se objektivë e këtij sesioni plenar është përmirësimi i bashkëpunimit politik, ekonomik dhe i sigurisë.
“Objektivat tona këtu janë përmirësimi i bashkëpunimit politik dhe të sigurisë, bashkëpunimi ekonomik dhe zgjerimi i bashkëpunimit në fushat e dimensioneve njerëzore, demokracisë, drejtësisë dhe luftimin e veprimtarive të paligjshme. Ky takim vjen në një kohë shumë të paparë, dhe bashkëpunimi ynë tani është i nevojshëm më shumë se kurrë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, bllokimi global që erdhi si rezultat i pandemisë po gjeneron sfida të pashembullta ekonomike që do të kenë një efekt të frikshëm në ekonomitë dhe në shoqëri.
Edhe
Osmani: E ardhmja e Kosovës është BE-ja dhe NATO
“Pandemia ka ndaluar tregtitë globale dhe shkatërroi dinamikën ekonomike duke ulur ashpër furnizimin”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka thënë se sipas parashikimeve të FMN-së dy muaj më parë, ekonomia globale është parashikuar që të tkurret për 3 për qind këtë vit, një shifër shumë më e keqe se ajo gjatë krizës financiare e periudhës 2008-2009.