Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosnett takohet me Konjufcën, kërkon rol konstruktiv nga të gjitha partitë politike për zgjedhjen e presidentit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka zhvilluar një takim me ushtruesin e detyrës së presidentit, Glauk Konjufcën, ku çështja e presidentit të ri ka qenë një prej diskutimeve mes tyre.

Kosnett nga ky takim ka bërë thirrje që të gjitha partitë politike të luajnë rol konstruktiv në zgjedhjen e presidentit të ri, që të konstituohen të gjitha institucionet pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Ambasadori Kosnett potencoi rëndësinë e zgjedhjes së presidentit të vendit, duke përmbyllur kështu konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Ai theksoi nevojën për rol konstruktiv të të gjitha forcave politike në vend përgjatë këtij procesi, duke pasur parasysh interesin shtetëror para atij politik e partiak”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Kosnetti uroi për detyrat e reja Konjufcën, ndërsa ky i fundit e falënderoi për ndihmën dhe partneritetin e vazhdueshëm të SHBA-së me Kosovën.