Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, ka thënë se drafti i Asociacionit, i prezantuar nga Bashkimi Evropian, nuk është ligjërisht i obligueshëm pa pasur nënshkrim nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia.
Edhe në seancën e së premtes të Kuvendit, kryeministri Albin Kurti këmbënguli që nuk e ka pranuar draftin e Asociacionit. “Pa nënshkrim, s’ka pranim”, ka thënë Kurti para deputetëve. Megjithatë, pas takimit me liderët evropianë në Bruksel në fund të tetorit, Kurti ishte shprehur i gatshëm ta nënshkruante “planin modern” të BE-së, ku përfshihej drafti i Asociacionit, por gatishmëri të njëjtë s’pati edhe nga Serbia.
Por Korenica thotë se fakti është se pa nënshkrim nuk ka obligime ligjore.
“Po të kishe qenë i pranuar [drafti], nuk do të flisnim për një draft të përmirësuar me atë që tha kryeministri se i ka dërguar vërejtjet. Në Ohër, Vuçiqi nuk nënshkroi dhe kjo nënkupton se nuk ki obligime ligjore. Nga ana e asaj që është diskutuar dhe asaj që është pranuar, kjo [çështja e draftit] ka mbaruar. Por nuk është ligjërisht e obligueshme, pa nënshkruar palët. Nuk ka obligueshmëri dypalëshe. Nuk është në interes të Kosovës të zbatohen pikat selektive. Serbia po i ik njohjes de-facto”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Duke komentuar deklaratën e të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili u shpreh se “nënshkrimi ose jo i marrëveshjeve nuk ndikon te detyrimi për zbatimin e tyre”, Korenica e vlerësoi si “deklaratë të rëndësishme”, por këmbënguli se pa nënshkrim s’ka obligime ligjore.
“Deklaratë e rëndësishme, por në një dokument kontraktual ku thuhet se duhet zbatuar, në fund janë emrat e të dyja shteteve dhe në këtë drejtim duhet të ketë edhe nënshkrim. Nuk po i ikim kësaj, por po duam që edhe pala tjetër të futet në binarët e nënshkrimit. Mund të thotë [Escobar] që s’është obligative, por fakti është se është obligative. Është me rëndësi të ketë nënshkrim për zbatim”, ka shtuar ai.
Edhe
Kurti: Qeveria s’e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacionin
Korenica ka thënë se në asnjë rrethanë “nuk do të votonte një organizim që i bën dëm Kosovës”.
“Nuk do të ketë organizim që nga vetëmenaxhimi do të kalonte në autonomi. Nuk do të rreshtohesha, jo vetëm me këtë parti ku jam, në asnjë rrethanë nuk do të votoja një organizim që i bën dëm republikës tonë”, ka thënë deputeti i VV-së.
-
Konjufca: Drafstatuti i BE-së për Asociacionin, s’është obligativ për Kosovën
-
Kurti ofrohet të shkruajë draft për Asociacionin, BE-së i kërkon të merret me Vuçiqin
-
Kushtëzimet mund ta zgjasin ngërçin në zbatimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi
-
Escobar: Nënshkrimi ose jo i marrëveshjeve nuk ndikon te detyrimi për zbatimin e tyre