Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, e ka shpallur të pranueshme kërkesën e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, për vlerësim dhe konstaton se amendamenti i propozuar për shtimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, në listën e marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare drejtpërdrejt të aplikueshme në Kosovë, nuk pakëson të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Kryetari i Kuvendit, më 21 dhjetor 2022, kishte referuar amendamentin kushtetues të propozuar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese para miratimit në Kuvend, me qëllim që të konstatohet nëse amendamenti i propozuar kushtetues i pakëson të drejtat dhe liritë e garantuara me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] të Kushtetutës.
Kushtetuesja, në vendimin e saj thotë se ka analizuar parimet kryesore të përcaktuara me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.
“Dhe vuri theks në të drejtat që ajo përcakton lidhur me (i) respektin për dinjitetin e natyrshëm, autonominë individuale, përfshirë lirinë për të bërë zgjedhjet personale dhe pavarësinë e personit me aftësi të kufizuara; (ii) respektimin e parimit të mosdiskriminimit;(iii) pjesëmarrjen dhe përfshirjen e plotë dhe efektive të personave me aftësi të kufizuara në shoqëri; (iv) respektin për ndryshimin dhe pranimin e personave me aftësi të kufizuara si pjesë e diversitetit njerëzor dhe humanizmit; (v) respektin për kapacitetet në zhvillimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara; si dhe (vi) respektin për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara për të ruajtur identitetin e tyre”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Tutje, gjykata ka theksuar se ka marrë parasysh detyrimet pozitive që merr përsipër Republika e Kosovës përmes këtij amendamenti kushtetues, marrë parasysh që Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara përcakton edhe detyrime specifike pozitive ndaj shteteve.
“Për ndërmarrjen e (i) masave të nevojshme legjislative; si dhe (ii) masave të tjera, duke krijuar mekanizma në funksion të zbatimit të plotë të Konventës në fjalë”, thuhet tutje në njoftimin e Kushtetueses./BetimipërDrejtësi
-
Qerimi: Institucionet të ofrojnë infrastrukturë të nevojshme për personat me aftësi të kufizuara
-
Kërkohet nisja e debatit për ndryshimet e Kushtetutës
-
Konjufca: Kushtetutshmëria jonë është në formësim
-
Konjufca i dërgon në Gjykatën Kushtetuese amendamentet kushtetuese për vettingun në drejtësi
-
Konjufca: Legjislacioni për personat me aftësi të kufizuara nuk zbatohet