Kryetari Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjucfa, ka theksuar se pavarësisht që Kosova ka ligje për personat me aftësi të kufizuara, ato nuk zbatohen.
Konjufca, në Kongresin Botëror për Personat me Aftësi të Kufizuara, “Bashkë për gjithëpërfshirje dhe prosperitet”, që ka nisur punimet të enjten e që organizohet nën patronatin e Ambasadores së Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala, ka kërkuar që ligjet që janë në fuqi të zbatohen, derisa ka shtuar se punësimi i personave me aftësi të kufizuara vazhdon të mbetet sfidë.
“Shumë shpesh na rastësisë të dëgjojmë të thuhet se Kosova ka ligje të mira por në praktikë hasin në disa vështirësi për t’u zbatuar, në masë të madhe mendoj se ky konstatimi është i vërtetë, këtë e konfirmon edhe raporti i fundit i Komisionit Evropian ... Punësimi i personave me aftësi të kufizuara si në institucionet publike e posaçërisht në ato private vazhdon të mbetet sfidë, përderisa qasja në tregun e punës për këta persona është e domosdoshme, jam i bindur se numri i të punësuarve nuk është në përputhje me ligjet që i kemi në fuqi”, ka deklaruar Konjufca.
Në këtë kongres ambasador i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka theksuar se kanë për qëllim t’i ndihmojnë personat me aftësi të kufizuar në Kosovë, derisa shtoi se duhet narrativa për këtë persona duhet të ndryshojë.
Hovenier ka thënë se SHBA-ja me vite të tëra është përpjekur që të promovojë vlera të caktuara të diversitetit dhe mundësive të barabarta.
Por ai ka theksur se nuk mund të thotë se kanë qenë shumë të suksesshëm në arritjen e këtyre vlerave.
“Edhe ne e kemi këtë qëllim për t’i ndihmuar personat me aftësi të kufizuara në Kosovë që të jetojnë jetën me dinjitet, të integruar plotësisht me të drejtat e barabarta në shoqëri. Është me rendësi se SHBA-ja i nxit edhe qeveritë tjera për miratimin dhe është mirë që t’i kemi ligjet dhe të bëhet zbatimi i atyre ligjeve. Duhet ta hedhim poshtë narrativen që ka qenë kaq shumë kohë e pranishme që anashkalon personat duke i përjashtuar e jo duke i pranuar personat me aftësi të kufizuar”, është shprehur Hovenier.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka theksuar se përkushtimi i Qeverisë në këtë fushë nuk do të dobësohet, por do të vazhdojë të jetë shumë i fortë.
“Nevojitet jo vetëm përkushtimi i Qeverisë, i komunave, shkollave e institucioneve tjera publike, por sigurisht se në secilin segment duhet shtohet më shumë përpjekje tona dhe një gjë i tillë duhet ta bëjmë. Është detyra jonë jo vetëm si qeveri por si shoqëri dhe Kosovë të bëjmë çdo gjë që mundemi për të ndihmuar ata që janë shtylla e garantimit të jetës në dinjitet dhe lumturi për çdo njeri që ka nevojë për kujdes të veçantë”, ka deklaruar Gërvalla.
Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala, është shprehur e lumtur që pas një pune të gjatë ka arritur të sjell 31 delegacione nga e gjithë bota në këtë Kongres.
“Ideja kryesore e gjithë këtij kongresi ka qenë që të marrim praktika të ndryshme nga vendet më të zhvilluara në botë për t’i sjellë në Kosovë dhe për t’ia mundësuar personave me aftësi të kufizuara një jetë me dinjitet. Më besoni që nuk lënë gurë pa lëvizur në arnën ndërkombëtare që kjo ngjarje të ndodhë”, është shprehur Shala. / ksp