Për procesin e dialogut me Serbinë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se Kosova gjithmonë është diskriminuar dhe nuk është trajtuar si palë e barabartë.
Ai ka shtuar para mediave se diskriminimi ka qenë që nga 2011-ta kur ka nisur procesi negociator.
“Gjithçka që ka pasur përmbajtje procesi negociator nga 2011 kur ka nisur deri te Marrëveshja e Ohrit që ishte marrëveshja e fundit në këtë proces, reagimet, qëndrimet dhe pozicionimet e BE-së dhe të institucioneve ndërkombëtare karshi kësaj që nënshkruam në relacion me Kosovën dhe Serbinë nuk janë të barabarta. Janë standarde të dyfishta e këtë do ta them gjithmonë dhe fuqishëm. Kosova është diskriminuar, po përjeton padrejtësi në këtë proces”, ka deklaruar kreu i Kuvendit.
Konjufca ka shtuar se Kosovës po i bëhet presion t’i zbatojë marrëveshjet, por “po përjashtohet kur po tenton ta bëjë këtë”.
“Kosovës i bëhet presion dhe përjashtimi mund të vijë për shkak të moszbatimit të marrëveshjes. Çka po bën Kosova është se do të realizojë një përmbajtje që është marrëveshje. Është hapja e urës. Negociatorët e mëhershëm e kanë bërë urën pjesë të negociatave, e palët janë pajtuar që ura të hapet. Kur Kosova do ta zbatojë marrëveshjen, nuk duhet të hapet ura thonë faktorët. E fakti që s’po mund ta zbatojmë Asociacionin, për këtë Kosova meriton të përjashtohet. Këto janë standarde të dyfishta. Kosova nuk trajtohet barabartë. Serbia ndryshe e Kosova ndryshe”, ka shtuar ai.
Konjufca: Kosovarët luftuan me dekada për Shqipërinë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka pritur në takim homologen nga Shqipëria, Elisa Spiropalin, duke u shprehur se këto dy vende kanë marrëdhënie të mëdha bashkëpunimi.
Ai është shprehur se Shqipëria është e paplotë pa Kosovën, duke u shprehur se qytetarët e Kosovës “kanë luftuar me dekada për Shqipërinë”.
“Shumica e kosovarëve nuk i referohen Shqipërisë si shteti fqinj. Po ta pyesim një kosovar se ku po shkon, nuk ka merr mendja se thotë po shkoj në shtetin fqinj. Por thotë ‘po shkoj në shtetin amë’. Shqipëria nuk u bë e plotë dhe na u mohua, e për Shqipërinë qytetarët e Kosovës luftuan me dekada”, ka deklaruar ai para mediave.
Sipas Konjufcës, institucionet e Kosovës kur shohin Shqipërinë “shohin një raport si me vetveten”, duke u shprehur se dy vendet duhet t’i thellojnë raportet.
I pyetur se a ka raporte të ngrira mes dy qeverive, Konjufca ka thënë se s'ka pasur ndonjëherë ngrirje, e sipas tij, bashkëpunimet gjithherë kanë ekzistuar.
“Ne si përfaqësues kemi qenë në nivelin e detyrës, mundësisht për të transmetuar një ndjenjë që është e thjeshtë dhe është mes popujve tanë. E kjo është ndjenja e dashurisë, e vëllazërisë, ndjenjë e afërt që mund ta ketë një popull mes vete. Shqipëria për ne është sikur vendlindja jonë. Zonja Spiropali s'ka ardhur për të shkrirë asgjë, ka ardhur për të vazhduar atë që ka ekzistuar gjithmonë. Një marrëdhënie të mirë mes Kosovës dhe Shqipërisë.