Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se retorika zyrtare e Serbisë ndaj Kosovës mbetet agresore dhe e pandryshueshme, teksa e ka cilësuar këtë vend si burim kërcënimi dhe destabiliteti për paqen në rajon.
Në edicionin e nëntë të Konferencës së Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, aktivitet i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Konjufca ka përmendur edhe bashkëpunimin ushtarak të Beogradit me Kinën dhe qëndrimet e tij ndaj zhvillimeve ndërkombëtare.
Ai iu referua edhe deklaratës së ministres serbe, Snezhana Paunoviq, e cila, sipas tij, ka deklaruar se nëse do të ishte në vendin e Slobodan Millosheviqit, do ta spastronte sërish etnikisht Kosovën.
Konjufca tha se një deklaratë e tillë duhet të merret seriozisht jo vetëm nga Kosova, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë që kanë investuar në sigurinë e rajonit.
“Të pasurit në kufi të një fqinji, siç është Serbia, që vazhdon të ketë raporte të ngushta me Rusinë, paraqet kërcënim jo vetëm për Kosovën, por për krejt Ballkanin. Serbia vazhdon të mos e mbështesë asnjë sanksion kundër Federatës Ruse dhe, të njëjtën kohë, ka intensifikuar bashkëpunimin ushtarak me vende si Kina, dhe është i vetmi vend i cili në rajon mori pjesë në ceremoninë mortore të ish-udhëheqësit iranian Khamenei. Ky orientim i Serbisë është më shumë sesa një pozicion i dyzuar në arenën ndërkombëtare. Retorika e pandryshuar agresore e politikës zyrtare serbe kundrejt Republikës së Kosovës dëshmon se Serbia është burim kërcënimi dhe destabiliteti për paqen rajonale dhe evropiane. Deklarata e ministres serbe se po të ishte në vend të Millosheviqit do ta spastronte etnikisht Kosovën sërish është deklaratë që duhet ta marrim seriozisht jo vetëm ne, por edhe aleatët ndërkombëtar që kanë investuar dhe investojnë në sigurinë e rajonit tonë. Qëndrimet tolerante të Bashkimit Evropian ndaj pozicioneve të tilla të Serbisë e kanë inkurajuar vetë Serbinë të mos heqë dorë nga ambiciet e saj hegjemoniste”, ka thënë Konjufca.
Konjufca nënvizoi se Kosova ka ruajtur një orientim të qartë pro-perëndimor, duke mbështetur aleancën perëndimore në përballjen me agresionin rus në Ukrainë.
“Rrethanat e trazuara globale të viteve të fundit kanë dëshmuar se Republika e Kosovës, si shtet sovran, dhe i pavarur, ka qëndruar e palëkundur në mbështetjen e aleancës perëndimore për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e Ukrainës kundrejt agresionit të Rusisë dhe i ka mbështetur të gjitha masat sanksionuese që aleanca perëndimore ia ka vendosur Federatës Ruse. Po ashtu, Republika e Kosovës qëndron përkrah aleatit tonë më të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përpjekjen e tyre për të ndërtuar paqen në Lindjen e Mesme. Anëtarësimi në Bordin e Paqes i themeluar nga Presidenti Trump dhe dërgimi i ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gaza në kuadër të Trupës Paqeruajtëse janë dëshmi e orientimit dhe e lojalitetit tonë ndaj këtij partneriteti, që e kemi”, ka thënë ai.
Kurti: Vendi avancon në arenën ndërkombëtare duke krijuar partneritete
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se fuqia e një shteti në arenën ndërkombëtare nuk përcaktohet vetëm nga kapacitetet e tij ushtarake dhe ekonomike, por edhe nga aftësia për të ndërtuar dhe ruajtur partneritete.
Në edicionin e nëntë të Konferencës së Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, aktivitet i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kurti ka përmendur rëndësinë e partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
“Aftësia e një vendi për të avancuar interesat e tij në arenën ndërkombëtare nuk varet vetëm nga fuqia e tij ushtarake dhe ekonomike, por edhe nga kapaciteti i tij për të krijuar partneritete, për t’i mirëmbajtur ato, për t’iu përmbajtur normave ndërkombëtare dhe për t’i promovuar ato”, ka thënë Kurti.
Kurti veçoi diversitetin kulturor të Kosovës, popullsinë e re dhe aftësinë e saj për të përdorur teknologjinë informative, si dhe rolin e diasporës.
“Diversiteti kulturor, një popullsi e re dhe e aftë për ta përdorur teknologjinë informative, si dhe një diasporë e madhe me vullnet të paepur dhe përkushtim për të kontribuar në zhvillimin e vendit, e bëjnë Kosovën një shtet me potencial të konsiderueshëm për diplomacinë publike”, tha ai.