Drejtoria e Shëndetësisë në Klinë, së bashku me stafin profesional të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza”, kanë filluar realizimin e projektit të vizitave sistematike shëndetësore në të gjitha shkollat fillore të Komunës së Klinës.
Ky projekt, që sivjet është vazhdimësi e projektit katërvjeçar të nisur vitin e kaluar, do të zhvillohet në të gjitha shkollat e Komunës së Klinës. Sipas drejtorit të Shëndetësisë, Hekuran Sejdiu, projekti ka për synim kontrollin shëndetësor të të gjithë nxënësve në shkolla, identifikimin e hershëm të problemeve shëndetësore që mund të përballen nxënësit, parandalimin e sëmundjeve, promovimin e shëndetit dhe edukimin shëndetësor, shkruan sot Koha Ditore.
“Projekti është i Drejtorisë së Shëndetësisë, me mbështetje të kryetarit të Komunës. E kemi bërë si projekt edhe me formularët se çka duam të marrim si informacion në aspektin shëndetësor të nxënësit, duke filluar edhe nga sëmundjet orale, që në kontrollimet e para po shihet rritje e madhe e sëmundjes së dhëmbëve nga kariesi, që është goxha shqetësuese. Pastaj kontrollimet për sëmundjet e mundshme të lëkurës, ndonjë patologji... pra janë edhe informacione bazike shumë të mira që do të na duhen edhe për planifikimet e Drejtorisë në të ardhmen”, thotë Sejdiu për “Kohën Ditore”.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)