Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kontrolle sistematike shëndetësore për nxënësit

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Lipjan ka nisur vizitat sistematike shëndetësore nëpër shkolla fillore dhe të mesme të ulëta me qëllim të kujdesit për shëndetin e fëmijëve.

Kjo qendër tashmë për çdo ditë ka angazhuar tri ekipe mjekësore për ta përcjellë gjendjen shëndetësore për secilin fëmijë nëpër shkollat e kësaj komune, ndërkohë që pas përfundimit do të dalin me raporte zyrtare për gjendjen shëndetësore të tyre, shkruan sot Koha Ditore.

Me një projekt të tillë kjo qendër do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme me qëllim që të bëhen ekzaminime të ndryshme shëndetësore, si problemet eventuale me zemër, mushkri, shëndeti oral, të parit, të dëgjuarit, pesha e trupit, gjatësia, qëndrimi dhe zhvillimi trupor, deformimet eventuale të boshtit kurrizor, ndryshimet trupore gjatë fazës së pubertetit etj.

Agim Krasniqi, drejtor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan, ka deklaruar se për çdo vit do të zhvillojnë vizita sistematike shëndetësore dhe për secilin nxënës do të plotësohen formular për gjendjen e tij shëndetësore.