Konsulli i sapoemëruar i Kosovës në Pragë, Flakron Shala nuk ka treguar saktë të dhënat e përvojës së punës kur të mërkurën publikoi një status në Facebook rreth procedurave të emërimit të tij.
Bazuar në të, djali i deputetit Haxhi Shala, tha se ka përvojë 3 vjeçare si menaxher shteti për Ballkan në një kompani çeke dhe anëtar bordi.
“I gjithë ky proces është bazuar në CV-n time dhe përvojën tre vjeçare në pozitën si Menaxher shteti për Ballkanin dhe si anëtar në bordin e drejtorëve në Kompaninë Çeke Elanor a.s.”, shkroi Shala.
Por, bazuar në të dhënat në faqen zyrtare të kompanisë “Elanor a.s”, Shala është emëruar në pozitën e menaxherit vetëm para 3 muajsh dhe atë jo për Ballkanin por për Kosovën.
“Jemi të lumtur të njoftojmë se kemi emëruar Flakron Shalën si menaxher për Kosovë të Elanor, që është efektive nga 1 gushti 2020”, thuhet në njoftimin që mban datën 4 shtator të këtij viti.
{gallery}
Njoftimi i kompanisë çeke “Elanor a.s” për emërimin e Shalës në pozitën e menaxherit i datës 04.09.2020. Shala tha se ka përvojë 3 vjeçare si menaxher për Ballkan në këtë kompani.
Aty shtohet se Flakron Shala ka qenë për 3 vjet vetëm punëtor i thjesht i kompanisë dhe ka prezantuar një strategji biznesi për Kosovën që pastaj i është aprovuar nga Bordi i drejtorëve.
“Elanor a.s”, sipas të dhënave në uebfaqe, është kompani që ofron shërbime në fushën e resurseve njerëzore.
KOHA raportoi të martën se Flakron Shala u dekretua në pozitën e Konsullit të Përgjithshëm nga ish-Presidenti Hashim Thaçi në fund të tetorit. Babai i tij, Haxhi Shala deklaroi publikisht në Kuvend se pikërisht Thaçi e Ramush Haradinaj e bindën të ndryshoj votën e tij për Qeverinë Hoti, e cila ishte vendimtare në formimin e saj.