Të hënën e 26 nëntorit, në seancën e parë të rregullt, të përbërjes së re të Këshilli Kombëtar Shqiptar, i dalë nga zgjedhjet e 4 nëntorit, u verifikuan mandatet e 15 anëtarëve të këtij institucioni, si dhe u zgjodh kryetari, zëvendëskryetari, kryetari i Këshillit Ekzekutiv dhe anëtarët e tij.
Pas dhënie së betimit të anëtarëve dhe nënshkrimit të Deklaratës, me vota të hapura u zgjodh kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa nga radhët e PVD-së, kurse për zëvendëskryetar Enver Mehmeti nga radhët e PDSH-së.
Gjithashtu, shumica e re të KKSH-së, votoi edhe për Këshillin Ekzekutivin, në përbërje prej 6 anëtarësh, ku prej tyre për kryetar u zgjodh Albiona Ibrahimi-Rexhepi, ndërsa për zv/kryetar, Besim Nasufi, ku për anëtar të ekzekutivit u zgjodhën: Enkel Rexhepi, Lemane Mustafa, Muhamet Mustafa, Remzije Rexhepi.
Vlen të ceket se koalicioni qeverisës i KKSH-së përbëhet prej dy partive PVD-PDSH, me gjithsej 8 anëtarë nga 15 sish sa ka në përbërjen e tij ky institucion i lartë politik dhe juridik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Pas verifikimit të mandateve 7 këshilltarët e opozitës nga radhët e APN, PD dhe LR PDSH e lëshuan seancën konstituive, duke i bojkotuar zgjedhjet e organeve të reja.
Kryetari i sapozgjedhur i KKSH, Ragmi Mustafa, në përmbyllje të kësaj seance konstituive iu drejtua me një fjalim medias dhe publikut: “Qytetarë të nderuar, sot, me shumicë votash u zgjodha kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar. Dua të falënderoj të gjithë anëtarët, që votuan edhe ata që nuk më votuan. Tashmë i kemi dërguar kërkesë për mbështetje institucionale dy qeverive shqiptare, asaj të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, për ta shqyrtuar çështjen e ‘Fondit të përbashkët për Luginën e Preshevës’, përkatësisht mundësinë e mbështetjes institucionale të Këshillit Kombëtar Shqiptar”, ka thënë Mustafa.
Ai tha se Këshillit Kombëtar Shqiptar i ka vënë për mision tejkalimin e pengesave në arsim, kulturë, informim dhe përdorimin zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip, e që janë pengesë për zhvillimin e tërësishëm të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“E për synim ka Mbrojtjen, ruajtjen dhe avancimi i identitetit kombëtar e në veçanti të flamurit kombëtar; Krijimin e rrjetit të bashkëpunimit me institucionet e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës si dhe shndërrimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në institucion të respektueshëm vendor e ndërkombëtar. Prandaj, Marrëveshja për këtë institucion mbetet e hapur për t’iu bashkuar edhe listat tjera pjesëmarrëse në Këshillin Kombëtar Shqiptar”, u shpreh ai.
Kjo, tha Mustafa, “më jep të drejtë të kërkoj e t’i ftoj të gjithë që të gjejmë forcën dhe guximin, të bëhemi bashkë dhe të angazhohemi, ta kthejmë besimin brenda nesh dhe në mes nesh, që ta përfaqësojmë vullnetin dhe aspiratën tonë nga Referendumi i 1 dhe 2 marsit 1992. Le të jemi idealistë, le të besojmë në të pamundurën, që ta bëjmë të mundshme. Të organizohemi dhe të jemi të gatshëm sepse bashkë dhe vetëm bashkë mundemi. Bashkë dhe vetëm bashkë duhemi të ecim tutje”, u shpreh ndër të tjera, kreu i KKSH-së, Ragmi Mustafa.
Qeverisja e re e Këshillit Kombëtar Shqiptar do të angazhohet për thellimin e komunikimit dhe të bashkëpunimit me kabinetet qeveritare të Shqipërisë dhe Kosovës.
Mustafa theksoi se modeli i bashkërendimit dhe bashkëveprimit të Këshillave Kombëtare Hungareze dhe Kroate me Budapestin dhe Zagrebin zyrtar, janë një shembull i mirë që mund të na shërbejë edhe neve në të ardhmen. /Sevdail Hyseni