Partitë shqiptare në Luginë të Preshevës nuk kanë arritur pajtimin për të caktuar kryesuesin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, sipas afateve të parapara. Të premten ka kaluar afati për zgjedhjen e organeve udhëheqëse, pas zgjedhjeve të 13 nëntorit të vitit të shkuar. Tash Qeveria e Serbisë, do të caktojë organin e përkohshëm udhëheqës deri në votimet e reja.
Kryetari i deritashëm i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi, ka njoftuar se në diskutimet që dështuan, e përfshirë ka qenë edhe Qeveria e Kosovës. Ai ka akuzuar një pjesë të spektrit politik shqiptar në Luginë për mungesë të pjekurisë politike.
“Me çka, institucioni i vetëm që tubon shqiptarët, u dorëzua në mëshirën e Ministrisë së Pakicave, konkretisht të Qeverisë së Serbisë. Për fatin e keq të shqiptarëve të kësaj treve, sot, kur është humbur afati ligjor që shqiptarët të zgjedhin udhëheqjen e një institucioni që ka të bëjë pikërisht me të drejtat e tyre, arsimin, kulturën e ruajtjen e substancës tonë kombëtare, e të varet nga vullneti i politikës e parapolitikës në Beograd që të zgjedh në emër të votuesve tanë”, ka thënë Mustafi.
Siç ka bërë të ditur ai, nga të gjitha pakicat pjesëmarrëse në zgjedhjet e 13 nëntorit të vitit të kaluar, vetëm pakica shqiptare nuk kishte arritur të formonte udhëheqjen e Këshillit Kombëtar. Mustafi ka akuzuar Partinë Demokratike dhe Lëvizjen e Progresit Demokratik për bllokim.
“Në tërë këtë klimë destruktive të krijuar tashmë tek subjektet politike shqiptare, shpresoj shumë që shqiptarët të bojkotojnë çdo subjekt politik që nuk e toleron përfshirjen e Kosovës dhe Shqipërisë në Luginë, e në anën tjetër nuk e trajton të dëmshme përfshirjen e Qeverisë së Serbisë e cila shpërfillë edhe vullnetin demokratik të shprehur me votë, sikur në rastin e fundit në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar”, ka shkruar Mustafi që dështimin e zgjedhjes së kryesuesit të KKSH-së e ka cilësuar kolaps politik.
Në LPD kanë kundërshtuar akuzat e Mustafit. Në një shkrim të kryetarit të saj, Shqiprim Musliu, janë cilësuar “dezinformata dhe propaganda se kjo parti është kundër Kosovës”. Për përpjekjet për koalicion, LPD-ja ka thënë se ia ka shprehur qëndrimet edhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Qëndrim i kësaj partie ka qenë që të udhëheqë me KKSH-në.
“Sa i përket mundësive të formimit të koalicionit, si LPD kemi dhënë qëndrimet dhe arsyet tona që janë të shprehura edhe publikisht por që i kemi shprehur edhe në negociatat e përbashkëta, por edhe para Kryeministrit të Kosovës z.Albin Kurtit, që LPD ka qëndrim të prerë rreth pozitës së kryetarit dhe se në këtë proces nuk ofrohet për asnjë koalicion tjetër, dhe kemi garantuar që çfarëdo epilogu që do të ketë me apo pa LPD-në në KKSh, veprimet tona nuk do të reflektojnë e as nuk do të rrezikojnë proceset tjera të ndërtuara me mund e përkushtim. Sepse kemi theksuar kjo është një garë mes shqiptarësh, dhe në fund një shqiptar prapë do të ishte në krye të KKSh-së”, thuhet në reagimin e LPD-së. “Qëndrimin tonë e bëri më të fortë edhe deklarata e Kryeministrit Kurti se nuk i kishin treguar drejtë për veprimet e fundit në KKSh, dhe përderisa atë nuk e njoftojnë për gjithçka çfarë ka ndodhur rreth konkursit si dhe amnistimi i kandidatit të PVD-së përkundër fakteve të prezantuara, ne nuk mund ta pranonim kandidatin e tyre për arsyet që ne i faktuam në takim”.
Edhe
Rexhepi: S’kemi çka dialogojmë, Serbia t’i plotësojë kërkesat e shqiptarëve të Luginës
Sipas LPD-së, edhe kryeministri Kurti i ka refuzuar propozimet për udhëheqje me mandate më të shkurtra. Kjo parti ka thënë se nuk do të pranojë të udhëheqë me organin e përkohshëm edhe nëse i propozohet nga Qeveria e Serbisë.
Alternativa për Ndryshim, pas qëndrimit si abstenuese në negociatat e muajve të fundit, dy ditë më parë pati dalë me propozim që të bashkë me PD-në, LPD-në e PDSH-në të negociohet për udhëheqjen e KKSH-së “për të çkapur udhëheqjen Këshillin Kombëtar Shqiptar nga udhëheqja e korruptuar e PVD-së”
Në zgjedhjet e 13 nëntorit, shqiptarët në Luginë garuan me pesë lista zgjedhore. Nga 15 ulëset në Këshillin Kombëtar Shqiptar, pesë u fituan nga PVD-ja dhe nga APN-ja, ndërsa dy nga LPD-ja dhe PD-ja dhe një nga PDSH-ja.