Arbëri

Konkursi për drejtorët e shkollave në Prizren mbyllet këtë javë, opozita me dilema

Konkursi për zgjedhjen e drejtorëve të mbi 30 shkollave të Komunës së Prizrenit është shpallur muajin e kaluar, derisa afati për aplikim mbyllet gjatë kësaj jave. Por opozitarët prej fillimit kanë shprehur dilemat e tyre lidhur me veprimet e ndërmarra nga ekzekutivi aktual rreth kësaj çështjeje. Madje në seancën e Kuvendit, ku është votuar për komisionet përzgjedhëse për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave, Karanfil Haxhillari nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka adresuar shqetësimin për përbërjen e tyre

Drejtoria e Arsimit në Prizren ka shpallur konkursin për përzgjedhjen e drejtorëve të mbi 30 shkollave të kësaj komune, me ç’rast afati për aplikim mbyllet gjatë kësaj jave. Drejtuesit e këtij dikasteri kanë bërë thirrje që të aplikojnë sa më shumë kandidatë, duke theksuar se procesi i përzgjedhjes do të jetë i rregullt dhe transparent.

opozitarët prej fillimit kanë shprehur dilemat e tyre lidhur me veprimet e ndërmarra nga ekzekutivi aktual rreth kësaj çështjeje. Madje në seancën e Kuvendit, ku është votuar për komisionet përzgjedhëse për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave, Karanfil Haxhillari nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka adresuar shqetësimin për përbërjen e tyre.

“Me këtë komision aktual, unë jam i sigurt që nga vetë kandidatët që do të jenë drejtorë, ky proces i përzgjedhjes do të kontestohet”, ka thënë Haxhillari.

Mirëpo drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prizrenit, Luljeta Veselaj-Gutaj, ka bërë të ditur se ekzekutivi lokal ka iniciuar një procedurë për përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave në mënyrë të rregullt dhe se i është shmangur praktikës së deritanishme për emërimin e ushtruesve të detyrës.

“Jemi shumë të vendosur që procesi të jetë sa më transparent, dhe të rekrutohen njerëz sa më kredibilë. Drejtuesit e shkollave janë ata të cilët na japin dritë nëpër shkolla dhe na ndihmojnë shumë në procesin e punës, të cilën e kryejmë brenda Drejtorisë së Arsimit. Ne i kemi propozuar komisionet, kemi tri komisione me lejen e Ministrisë së Arsimit dhe në këto tri komisione përbërja e tyre është ashtu siç kërkohet me Udhëzimin Administrativ...”, është shprehur ajo.

Njëherësh është zotuar se nuk do të ketë ndikime politike në proces.

siguroj që nuk do të ketë ndikime nga askush, nuk ka asnjë njeri që është i etiketuar. Procesi do të jetë shumë i hapur, shumë transparent, shoqëria civile do ta përcjellë, mediat do ta përcjellin, kushdo që do të jetë i interesuar”, ka shtuar zyrtarja e lartë komunale.

Procesi i përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave në Prizren në mandatin e kaluar qeverisës komunal për rreth dy vjet kishte mbetur peng i mosvotimit të komisionit përkatës në Kuvendin e Komunës, si pasojë e mosmarrëveshjeve politike mes ekzekutivit dhe opozitës së atëhershme.