Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Përzgjedhja e drejtorëve të shkollave në Prizren, peng i mosvotimit të Komisionit

Procesi i përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave në Prizren prej kohësh ka mbetur peng i mosvotimit të komisionit përkatës në Kuvendin e Komunës. Përplasjet mes ekzekutivit lokal dhe anëtarëve të opozitës që përbëjnë shumicën në KK për këtë çështje kanë qenë të vazhdueshme. Këta të fundit disa herë kanë refuzuar shqyrtimin e kërkesës për votimin e Komisionit për përzgjedhjen e drejtorëve të institucioneve edukativo-arsimore dhe aftësuese në Komunën e Prizrenit, me arsyetimin se propozimi i ekzekutivit nuk përkon me dispozitat e Udhëzimit Administrativ. Në seancën e fundit të KK-së, ekzekutivi ka kërkuar që kërkesa e votimit të Komisionit të futet në rend dite, por që një gjë e tillë është refuzuar nga opozitarët, që kanë pohuar se kjo çështje është trajtuar në Komitetin për Politikë e Financa, që nuk e ka parë të arsyeshme ta rekomandojë për shqyrtim në mbledhjen e katërt të KK-së për vitin 2021.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prizrenit, Xhemile Thaçi-Vezgishi, ka pohuar se kuvendarët opozitarë ankohen për vonesën në zgjedhjen e drejtorëve, porse njëkohësisht nuk marrin vendim për formimin e komisionit përkatës.

“Gati një vit e gjysmë e propozoj këtë pikë. Herë nuk kalon në KPF e herë në KK. Sipas propozimeve e sugjerimeve të kuvendarëve ne vazhdimisht e kemi ndërruar komisionin, por propozimi nuk kalon”, ka thënë ajo.

Mirëpo shefi i këshilltarëve të PDK-së në KK-në e Prizrenit, Simir Krasniqi, ka vlerësuar se propozimet e ardhura nga ekzekutivi nuk kanë qenë në përputhje me Udhëzimin Administrativ.

“Çdo seancë janë munduar me kontrabandua këtë komision, në kundërshtim me UA, duke u munduar që t’i manipulojnë kuvendarët”, ka deklaruar Krasniqi.

Edhe LVV-ja kërkon anulimin e procesit të zgjedhjes së drejtorëve Arbëri LVV-ja kërkon anulimin e procesit të zgjedhjes së drejtorëve

Ndërsa Shukri Quni nga Nisma Socialdemokrate ka theksuar se ekzekutivi nuk ka ardhur me kërkesën për me krijua një komision të tillë kur i ka vendosur ushtruesit e detyrave të drejtorëve të shkollave në mbi 20 shkolla. “Pasi që i kanë emëruar të gjithë u.d. të drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve, atëherë janë kujtuar që ta sjellin në Kuvend një kërkesë për Komision. Por edhe këtë nuk e kanë bërë në mënyrë adekuate”, është shprehur Quni.

Edhe Fatmir Kastrati i AAK-së opozitare ka konsideruar se për mosformimin e Komisionit përgjegjësi ka ekzekutivi, pasi që nuk ka bashkëpunuar me grupet politike në KK, por vazhdimisht i ka injoruar ato.

Haziz Hodaj i LDK-së ka shprehur qëndrimin se inicimi i procesit të përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave në prag të fushatës zgjedhore është veprim i papërshtatshëm, ngase një gjë e tillë është dashur të fillojë 3 muaj para përfundimit të mandatit të drejtorëve.

Muharrem Elezkurtaj i VV-së ka deklaruar se kjo kërkesë vazhdimisht është sjellë për shqyrtim në Kuvend, por që është refuzuar nga opozitarët. “Ndërsa kur kryetari detyrohet të zgjedhë u.d. drejtorë të shkollave atëherë thirret seancë e jashtëzakonshme”, ka thënë ai, duke kërkuar që opozita t’i lërë teket dhe të mundësojë zgjedhjen e drejtorëve dhe funksionimin normal të shkollave nga shtatori i këtij viti.

Ndërkaq kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ka pohuar se kërkesa për themelimin e Komisionit ka ardhur në organet komunale para skadimit të kontratave të drejtorëve të shkollave, por se KPF-ja nuk e ka rekomanduar për shqyrtim në Kuvend.

“Me ndryshimin e Udhëzimit Administrativ, kërkohet që Komisioni me u votu në KK. Ka më shumë se një vjet që kjo nuk ndodh. Ky është bllokim i procesit dhe neglizhim i punës së KK-së”, ka thënë Haskuka, duke shtuar se propozimi për përbërjen e Komisionit është ndryshuar disa herë, sipas kërkesave të kuvendarëve. “Por ju vazhdimisht keni gjetur arsyetime për mos me e votu. Momentalisht janë 22 u.d . drejtorë dhe kjo është përgjegjësi e juaj”, është shprehur Haskuka.

Edhe Opozita në Prizren konteston zgjedhjen e drejtorëve të shkollave Arbëri Opozita në Prizren konteston zgjedhjen e drejtorëve të shkollave

Në anën tjetër, Shukri Quni i Nismës ka pohuar se ekzekutivi përpiqet vazhdimisht që t’ua hedhë fajin kuvendarëve, ndërkohë që për vendime të caktuara ku ka pasur interes, sikurse kredia e BERZH-it, ka arritur që të sigurojë vota të mjaftueshme për miratim. “Pse ekzekutivi s’ka këmbëngul më herët, pasi ka pasur kohë katër vite”, ka deklaruar ai.

Për dallim prej tij, Haziz Hodaj i LDK-së ka shprehur bindjen se ky pushtet nuk ka të drejtë që t’i tregojë opozitës se si të veprojë, pasi vetëm se po e degradon punën e KK-së.