Rreth 150 mijë lodra për fëmijë, me origjinë nga Kina, janë ndaluar të dalin në tregun e Kosovës, pasi nuk i kanë përmbushur standardet e sigurisë. Ekspertët e kimisë paralajmërojnë se substancat që mund të përmbajnë këto produkte, përfshirë ftalatet dhe metalet e rënda, mund të kenë pasoja serioze për shëndetin e fëmijëve
Rreth 150 mijë lodra për fëmijë, me origjinë nga Kina, janë ndaluar të dalin në treg nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut.
Sipas njoftimit të Inspektoratit, të bërë të martën, ndalesa për këto produkte është bërë për shkak se nuk i përmbushin standardet e sigurisë dhe kërkesat e përcaktuara me Rregulloren 02/2017 për sigurinë e lodrave.
Sipas kësaj rregulloreje, lodrat që vendosen në treg duhet të jenë të sigurta për fëmijët, të mos përmbajnë substanca të dëmshme dhe të mos paraqesin rrezik fizik, kimik apo higjienik. Po ashtu, ato duhet ta kenë shenjën CE që tregon se një produkt i plotëson kërkesat e Bashkimit Evropian për sigurinë, shëndetin dhe mbrojtjen e mjedisit.
Profesori në Departamentin e Kimisë në Universitetin e Prishtinës, Ilir Shehu, thotë se këto lodra mund të përmbajnë edhe substanca me efekte kancerogjene.
“Zakonisht pra në përbërje të masave plastike, po edhe të lodrave, në këtë rast pra kryesisht janë ftalatet, ato janë disa komponime organike që janë mjaft të rrezikshme dhe ndikojnë jashtëzakonisht shumë te fëmijët. Pastaj pjesa tjetër e lodrave, ju e keni parë që kanë një laramani të madhe ngjyrash, dhe këto ngjyra kryesisht vijnë si rezultat i shtesave të ndryshme të karakterit inorganik dhe janë kryesisht pjesë përbërëse e metaleve të rënda, që ju themi ne, janë të rrezikshme po ashtu, sepse mund të kenë efekte kancerogjene”, ka thënë ai.
E profesori i kimisë, Avni Hajdari, tregon se si mund të identifikohen lodrat potencialisht të dëmshme për fëmijët.
“Sa i përket mundësisë së identifikimit të këtyre ftalateve pa analiza kimike është pak e vështirë, sepse nuk ka ndonjë parametër të veçantë për identifikim. Zakonisht produktet ose lodrat të cilat janë tejet elastike, të cilat janë të lira dhe të cilat kanë aroma jo të këndshme, janë ato të cilat duhet të shmangen në qoftë se paraprakisht ose në qoftë se ekonomikisht nuk mund t’i bëjmë analiza kimike. Përndryshe, mënyra më e sigurt dhe më e mirë është që produktet të cilat vijnë nga vende të ndryshme, qoftë nga Kina apo çfarëdo shteti tjetër, të kontrollohen në doganë dhe t’i kërkohet analiza përkatëse për përqendrimin e metaleve të rënda, përqendrimin e ftalateve dhe në qoftë se ato vlera të këtyre komponimeve janë mbi vlerat e lejuara me ligj, të ndalohen dhe të mos hyjnë në tregun e Kosovës”, ka thënë Hajdari.
KOHA ka dërguar pyetje në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut lidhur me masat e ndërmarra për ndalimin e shitjes së këtyre produkteve, por gjatë së martës nuk ka marrë përgjigje.